AlbanianSport.com 01.10.2014 16:50
ASNN – Fitorja 3-2 që Paris SG-ja korri në shtëpi ndaj Barcelonës ishte rezultati më i spikatur i mbrëmjes së të martës në Ligën e Kampioneve, ndërsa Bajerni i Mynihut është e vetmja skuadër deri më tani me dy fitore në po aq ndeshje. Sonte luhen ndeshjet e dyta të 4 grupeve të tjera, A, B, C dhe D.
Liga e Kampioneve ka luajtur të martën ndeshjet e dyta në grupet E, F, G dhe H dhe Bajerni i Mynihut ka mposhtur minimalisht në fushë të huaj CSKA-në e Moskës, duke qenë për momentin skuadra e vetme që i ka fituar të dy ndeshjet e para. 11-metërshi i saktë i Tomas Mylerit në pjesën e parë, u ka mjaftuar gjermanëve për të marrë 3 pikët e plota në Rusi, ndërsa përballja tjetër e grupit E, që u luajt në Angli midis Mançester Sitit dhe Romës, u mbyll në barazim 1-1.
Midis ndeshjeve të tjera, spikati fitorja 3-2 që Paris SG-ja korri ndaj Barcelonës, ndërsa fitore korrën edhe Çellsi dhe BATE Borisovi. Të gjitha takimet e tjera të së martës u mbyllën me barazime, kurse ndeshjet e dyta të 4 grupeve të tjera, A, B, C dhe D, luhen të mërkurën.
Midis tyre padyshim spikat dueli i Madridit midis Atletikos vendase dhe Juventusit, në grupin A, si dhe përballja e Zvicrës midis Bazelit dhe Liverpulit, në grupin B. Midis ndeshjeve të tjera, interesante është sfida e Londrës midis Arsenalit dhe Gallatasarajit.