AlbanianSport.com 30/09/2021 23:10
ASNN – Në Stadiumin “Maradona”, napolitanët dorëzohen përballë Spartakut të Moskës, ndërsa Lacio mposhti 2-0 Lokomotivën e Moskës. Në ndeshjet e dyta të fazës së grupeve të Ligës së Evropës, Lacio mposhti Lokomotivën e Moskës 2-0. Basiç hap rrugën e fitores në minutën e 13-të dhe e mbyll atë në të 38-ën, me një prekje nga disa hapa larg Patric. Në minutën e 64-t vjen edhe shtylla horizontale e goditur nga Pedro.
Lajmi i vetëm i keq ishte dëmtimi i Imobiles, i cili u detyrua të largohej në minutën e 40-të, për shkak të një problemi në këmbën e tij të djathtë. Hapi i gabuar i Napolit në Ligën e Evropës. Në takimin e dytë të Grupit C, skuadra e trajnerit Luçioano Spaleti humbi 2-3 përballë Spartakut të Moskës dhe pësoi kështu humbjen e parë të sezonit. Në Stadiumin “Maradona”, Elmas zhbllokoi lojën menjëherë pas minutës së 13-të, por, pastaj, ndëshkimi i Mario Ruit me karton të kuq në të 29-tën, prishi gjithçka.
Në pjesën e dytë rusët përmbysën rezultatin me Promes, në minutat 55 dhe 90, dhe Ignatov, në të 81-tin. E kuqe edhe për Kofriez një minutë më pas dhe, në finale, goli i Osimhen, i shënuar në të 94-tën, nuk është i mjaftueshëm. Fitore 1-0 e Legias së Varshavës kundër Leister Sitit në grupin e Napolit. Polakëve u duhet vetëm goli i Emrelit për të fituar pikët e plota dhe vendin e parë. Në grupin e Lacio, megjithatë, ndeshja midis Olimpikut të Marsejës dhe Gallatasarajit përfundon 0-0.
Kjo pas një pezullimi për shkak të përplasjeve në tribuna. Fitore të lehta ndërkohë për Lionin, Olimpiakosin, PSV-në e Eind’hovenit, Bajer Leverkusenin dhe Dinamon e Zagrebit. Eintrahti i Frankfurtit, Uest Hem dhe Real Betis gjithashtu korrën fitore të enjten në mbrëmje.