AlbanianSport.com 22/09/2021 21:40
ASNN – Ky edicion zhvillohet me sistem vajtje-ardhje, ndeshjet e kthimit, më 14 tetor 2021. Janë luajtur të mërkurën ndeshjet e para të turit të 32-shes të Kupës së Shqipërisë, ndërsa ndeshjet e kthimit luhen të enjten e 14 tetorit 2021. Ndryshe nga sezoni i shkuar, ku, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, duelet u zhvilluan me një përballje të vetme, këtë sezon veprimtaria e dytë e futbollit në vend do t’i zhvillojë të gjitha turet me sistem vajtje-ardhje.
Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur të mërkurën me ngarkesë të plotë rrugëtimin e sezonit të ri të saj, me zhvillimin e ndeshjeve të para të turit të 32-shes. Në fakt, më herët janë luajtur edhe dy takimet e turit paraeliminator, prej nga Labëria dhe Luzi 2008 kanë fituar vendin në turin tjetër. Dhe turi i 32-shes, ndryshe nga sezoni i shkuar, ku, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, duelet u zhvilluan me një përballje të vetme, këtë sezon do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Midis ndeshjeve të para të çifteve të këtij turi, spikatën duelet midis skuadrave të Kategorisë së Parë, teksa ato të Kategorisë Superiore janë favorizuar nga shorti në këtë fazë. Fituesja në fuqi e këtij trofeu, Vllaznia, është shtangur nga skuadra modeste e Labërisë, duke u mundur me shifrat 1-2, ndërsa kampionia në fuqi, Teuta, është sfidohet në derbin rajonal nga Luzi 2008, por e ka mbyllur praktikisht kualifikimin që në takimin e parë, duke fituar thellë, 4-1.
Nga skuadrat tjera të Superiores, Kastrioti ka mposhtur Elbasanin 2-0, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës ka vuajtur për të marrë një barazim 1-1 në Cërrik përballë Turbinës, Kukësi është ndarë me rrjeta të paprekura përballë Maliqit. Laçi është ndarë me një barazim 1-1 në Sarandë me Butrintin dhe Dinamo është mundur minimalisht në Shijak përballë Erzenit.
Finalistja e mundur e sezonit të shkuar, Skënderbeu ka fituar 3-0 në Shkodër ndaj Veleçikut të Koplikut, ashtu sikundër ka bërë edhe Tirana në Peqin ndaj Shkumbinit, por edhe Partizani, që ka mundur 3-0 në Pukë Tërbunin. Ndërkaq, midis çifteve të tjera spikatin rezultatet e takimeve të parë të dueleve Besëlidhja e Lezhës-Burreli 0-0, Oriku-Bylisi 1-2, Vora-Korabi i Peshkopisë 2-1, por edhe Flamurtari-Apolonia 1-1, Lushnja-Tomori i Beratit 0-3 dhe Besa e Kavajës-Pogradeci 1-0.
Ndërsa ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes së Kupës së Shqipërisë luhen të enjten e 14 tetorit 2021.
Kupa e Shqipërisë
Turi i 32-shes:
Të mërkurën, 22 shtator 2021:
Tërbuni Pukë – Partizani Tirana 0-3
Shkumbini Peqin – Tirana 0-3
Veleçiku Koplik – Skënderbeu 0-3
Oriku – Bylis 1-2
Erzeni Shijak – Dinamo 1-0
Besëlidhja Lezhë – Burreli 0-0
Vora – Korabi Peshkopi 2-1
Butrinti Sarandë – Laçi 1-1
Maliqi – Kukësi 0-0
Elbasani – Kastrioti 0-2
Flamurtari – Apolonia 1-1
Turbina Cërrik – Egnatia Rrogozhinë 1-1
Lushnja – Tomori Berat 0-3
Besa Kavajë – Pogradeci 1-0
Luzi 2008 – Teuta 1-4
Labëria – Vllaznia 2-1
Shënim: Ndeshjet në vijim zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Ndeshjet e kthimit luhen të enjten e 14 tetorit 2021