AlbanianSport.com 24/01/2021 15:40
ASNN – Fiton Kukësi, Skënderbeu dhe Apolonia ndajnë pikët në Korçë, në 16:45 ka nisur në Shkodër Vllaznia-Kastrioti. Kategoria Superiore luan sot 3 takimet e para të javës së saj dhe pasdreke u zhvilluan dy prej tyre. Duke nisur nga ora 16:45 po luhet përballja Vllaznia-Kastrioti, ndërsa dy takimet e fundit luhen të hënën.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën pasdreke dy takimet e para të javës së 16-të dhe në Stadiumin “Elbasan Arena”, Kukësi ka kapërcyer pësimin e një goli dhe fituar me përmbysje 2-1 ndaj Bylisit. Stojanoviç i ka kaluar ballshiotët në epërsi në minutën e 26-të.
Por, 5 minuta para fundit të pjesës së parë, Ibraimi shënon për Kukësin. Në barazim 1-1 mbyllet 45-minutëshi i parë, ndërsa në të dytën, Eze do të gjejë rrugën e rrjetës për verilindorët, që përmbysin gjithçka dhe fitojnë me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit, që zhytet në zonën e ftohtë të rënies nga Kategoria Superiore.
Ndërkaq, në Korçë, Skënderbeu është ndalur në barazim 1-1 përballë Apolonisë, në atë të ishte një betejë për mbijetesë. Dy 11-metërsha, një i realizuar nga Meksi për vendasit, në minutën e 49-të, dhe një nga Gjata për fierakët, kanë bërë që të dyja skuadrat të ndajnë nga një pikë.
Takimi i 3-të i së dielës luhet duke nisur nga ora 16:45 dhe Vllaznia pret në Shkodër Kastriotin. Kurse dy takimet e fundit luhen të hënën dhe pasdreke, Tirana pret në kryeqytet Laçin, ndërsa duke nisur nga ora 16:45, Partizani përballet me Teutën në Durrës, në duelin e dy skuadrave ndjekëse të Vllaznisë kryesuese.