AlbanianSport.com 13.11.2016 09:50
ASNN – Pasi ka luajtur të premten ndeshjen e parë të javës së tij të 7-të, ku Partizani nuk ka patur probleme për të mposhtur në 3 sete Erzenin, Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka luajtur dje dy ndeshjet të tjera, ndërsa takimi i fundit, ai midis Farka Volejit dhe Studentit, luhet të hënën, duke nisur nga ora 16:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale.
Kështu, Tirana mund të konsiderohet skuadër “shtesash”, ndërsa në pikët shtesë me të njëjtin rezultat 28-26 ka fituar dy setet e para në kryeqytet ndaj Elbasanit. Fakti që Elbasani ka bërë një ndeshje për t’u admiruar, atje ku Bakiri ka “fluturuar” në të gjitha anët për t’i dhënë pikët verdhebluve të Lushnjarit, e ka vënë në vështirë Tiranën. Megjithatë, bardheblutë ia dalin ta mbyllin me 3 sete.
Taninë, skuadra e trajnerit Ilo Koja kanë 12 pikë, po aq sa Farka Voleji, që ka luajtur dy ndeshje më pak, dhe Vllaznia, që ka fituar pastër dje në Korçë, në një ndeshje të bukur dhe me rivalitet vetëm në setin e dytë të takimit. Shkodranët kanë luajtur një ndeshje më pak se bardheblutë, ndërsa renditjen e kryeson Partizani, me pikë të plota, 18, pas 6 fitoresh ku kanë lëshuar vetëm një set.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 7-të
(11-14 nëntor 2016)
Të premten:
Partizani – Erzeni 3-0
Të shtunën:
Skënderbeu – Vllaznia 0-3
Tirana – Elbasani 3-0
Të hënën:
Farka Volej – Studenti ora 16:00
Teuta pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Partizani 6 6 0 18-1 18
- Farka Volej 5 4 1 13-5 12
- Tirana 7 4 3 15-10 12
- Vllaznia 6 4 2 13-8 12
- Studenti 5 4 1 12-7 11
- Erzeni 6 3 3 12-9 10
- Skënderbeu 7 1 6 3-19 3
- Teuta 6 1 5 5-17 2
- Elbasani 6 0 6 3-18 1