AlbanianSport.com 28/09/2021 21:25
ASNN – Ajaksi mund 2-0 Beshiktashin, Shahtjori i Donjeckut-Inter, vetëm 0-0, në ora 21:00 kanë nisur të tjerat. Liga e Kampioneve ka nisur të martën ndeshjet e dyta të fazës së grupeve dhe, në takimit e luajtura më herët janë regjistruar një fitore dhe një barazim. Në barazim me rrjeta të paprekura është mbyllur dueli në Donjeck të Ukrainës, midis Shahtjorit vendas dhe Interit.
Të dyja skuadrat erdhën pas humbjeve në ndeshjet e para, por nuk kanë arritur dot ta thyejnë njëra-tjetrën, duke u mjaftuar me nga një pikë secila, ndërsa takimi tjetër i grupit D, është ai që ka nisur në Madrid midis Realit vendas dhe moldavëve të Sherifit të Tiraspolit. Ndërkaq, Ajaksi nuk ka gabuar në shtëpi, duke fituar me dy gola ndaj Beshiktashit, në atë që ishte fitorja e dytë radhazi për gjiganden holandeze.
Pasi kishte fituar bindshëm, 5-1, në Portugali përballë Sportingut të Lisbonës. Stiven Berghuis e ka shfrytëzuar më së miri depërtimin e Dushan Tadiçit, duke përshëndetur rrjetën në minutën e 17-të dhe duke e kaluar Ajaksin në epërsi. Ndonëse disa minuta më vonë vetë Tadiç shpërdoron një rast mjaft të volitshëm për shënim, do të jetë vetë Berghuis që do të shërbejë për Sébastien Hallerin.
Ky i fundit gjen golin e dytë të Ajaksit dy minuta para fundit të pjesës së parë. Me këtë epërsi dygolëshe të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat, përtej një goli të anuluar të Kenan Karamanit për turqit, nuk do të sjellë gola të tjerë që vlejnë dhe Ajaksi fiton 2-0 dhe merr kreun e renditjes së grupit C, aty ku Borusia e Dortmundit po përballet me Sportingun e Lisbonës në takimin tjetër.