AlbanianSport.com 11/09/2021 16:25
ASNN – Pas ndeshjes së parë, të luajtur të premten, ku Teuta ka mposhtur me një gol të vetëm Partizanin, janë luajtur të shtunën dy ndeshje të tjera të javës së parë të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Dhe Vllaznia dhe Laçi kanë dhuruar një nga ndeshjet më të bukura të viteve të fundit në Superiore, pasi shkodranët i kanë mundur me shifrat 5-3 kurbinasit, pas një betejë ashpër të luajtur pasdreke. Pjesa e parë ishe një dukuri që ndodh rrallë në futbollin shqiptar, pasi u shënuan plot 6 gola në 45 minuta, me Vllazninë, që e nisi vrullshëm.
Por Laçi u kthye dhe tregoi se është një skuadër që ngrihet edhe në momente kritike. Liridon Latifi shënoi për Vllazninë në minutën e 11-të, pas një 11-metërshi të akorduar nga gjyqtari, pasi e u këshilluar me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Më pas, në minutën e 24-t, Da Silva finalizoi një zbritje shumë të shpejtë të Ante Aralicës, një nga më të mirët në fushë. Por Laçi u kthye. Dhjetë minuta pas golit të dytë të Vllaznisë, Dejan Zarubica shkurtoi largësinë e golave në 1-2. Në të 39-tën, i njëjti protagonist shënoi edhe golin e dytë për kurbinasit dhe barazoi shifrat.
Sidoqoftë, Vllaznia kishte ende për të thënë e bërë dhe shënoi me Aralicën në minutën e 41-të, duke kryesuar 3-2. Por epërsia e kuqebluve zgjati vetëm 5 minuta sepse, në shtesë, Lushkja barazoi për herë të dytë rezultatin dhe e mbylli pjesën e parë në barazim 3-3. Pjesa e dytë nuk ishte kaq intensive, megjithëse golat nuk munguan. Kapiteni Erdenis Gurishta arriti të shënojë dhe të rikthejë edhe një herë në epërsi Vllazninë brenda 3 minutash nga nisja e pjesës së dytë. Pjesa e mbetur ishte sërish një betejë.
Betejë të cilën e fitoi Vllaznia, e cila gjeti rrjetën në sekondat e fundit të ndeshjes me Kainas, duke vulosur triumfin bindës, 5-3, në Laç. Ndërkaq, në kryeqytet, Tirana e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin, teksa mposhti me rezultatin 4-2 Skënderbeun në javën e parë. Dygolëshi i të rikthyerit Majkëll Ngo dhe golat e Behiraçes dhe Limajt, i siguruan 3 pikë të arta bardhebluve, ndërkohë që për korçarët realizuan Zhan Viktor dhe Mensah. Vlen të theksohet se kjo sfidë i pati të gjitha, gola dhe spektakël.
Por edhe kartona të kuq, 11-metërsh të anuluar nga VAR-i, në fund të pjesës së parë për Skënderbeun, si dhe nuk munguan gafat e portierëve. Në fund ishin kryeqytetasit ata që festuan. Dalja me karton të kuq e Zguros në fillimin e pjesës së dytë, i goditi korçarët, teksa ishin kryeqytetasit ata që dominuan, duke realizuar edhe 3 gola. Me epërsinë numerike, Tirana arriti të përfitojë dhe e mbylli ndeshjen, duke shënuar tre gola dhe hipotekuar 3 pikët. Në minutën e 59-të, ishte Majkëll Ngo’o, që riktheu bardheblutë në epërsi dhe shënoi për herë të parë në këtë rikthim në kryeqytet.
Dhjetë minuta më pas ishte Vesel Limaj, që me një goditje nga jashtë zonë, përshëndeti rrjetën dhe thelloi epërsinë në 3-1. Shtatlarti Ngo’o hyri edhe njëherë në skenën e shënuesve në minutën e 73-të. Anglezo-nigeriani shënoi sërish për Tiranën dhe fiksoi rezultatin në 4-1. Të njëjtat shifra nuk vazhduan deri në fund sepse për t’i ndryshuar mendoi Ilion Lika në minutën e fundit të kohës së rregullt. Portieri tentoi të driblojë Mensah, por ky i fundit e kuptoi idenë e veteranit dhe devijoi topin në rrjetë për të fiksuar ndeshjen në 4-2 në favor të 25-herë “kampionëve”.