AlbanianSport.com 15/12/2018 20:35
ASNN – Janë luajtur të dielën dy takimet çerekfinale të Botërorit të Klubeve në Futboll, nga ky kanë dalë skuadrat që do të përballen me River Plejtin dhe Realin e Madridit. Ky turne, që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në takimin e parë çerekfinal të këtij turneu që përball klubet kampione të çdo kontinenti me kampionen në fuqi të vendit organizator, Kashima Entllërs ka kapërcyer pësimin e një goli dhe ka mposhtur Guadalaharën me shifrat 3-2, duke siguruar vendin në gjysmëfinale.
Kampionia e zonës së CONCACAF-it (Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve) ka kaluar në epërsi pas vetëm 3 minutash lojë, me anë të Zaldivarit, dhe e ka mbyllur në favor të saj pjesën e parë. Por japonezët, kampionë të Azisë, kanë përmbysur gjithçka me 3 gola në pjesën e dytë, me autorë Nagakin, Serzhinjon dhe Aben, dhe kanë fituar pavarsisht një goli të shënuar në fund nga meksikanët.
Ndërkaq, në takimin tjetër çerekfinal, kampionia e vendit organizator Al-Aini, e cila erdhi në këtë fazë pasi triumfoi pas goditjes së 11-metërshave në turin eliminator përballë neozelandezëve të Uellingtonit, e zgjidhi shumë shpejt përballjen me kampionen e Afrikës, Esperonsën. Skuadra arabe ka shënuar dy herë brenda 18 minutash, duke kaluar në epërsi me anë të Mohamed Ahmadit, që në minutën e 3-të.
Ajo i ka dyfishuar shifrat pas një çerekore lojë, me Husein El-Shahatin. Me epërsinë dygolëshe të miqve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, Al-Aini do të gjejë edhe një gol të 3-të, duke siguruar kështu duelin në gjysmëfinale përballë River Plejtit. Dy gjysmëfinalet luhen më 18 dhe 19 dhjetor 2018.