AlbanianSport.com 10/04/2021 18:40
ASNN – Laçi-Vllaznia mbyllet 0-0, Teuta fiton në Fier dhe shkëputet në krye të renditjes. Laçi dhe Vllaznia janë ndarë me rrjeta të paprekura të shtunën në përballjen midis tyre. Nga ky barazim i dy rivaleve, ka përfituar Teuta, e cila nuk ka gabuar, duke fituar në Fier me rezultatin 2-0 ndaj Apolonisë dhe duke u shkëputur në krye.
Kampionati Kombëtar i Futbollit ka luajtur të shtunën pasdreke dy takimet e para të javës së 27-të të Kategorisë Superiore, si dhe takimet e para të fazës së 3-të të Kategorisë së Parë. Në Kategorinë Superiore, në takimet që u luajtën pasdreke, Kukësi ka mundur 3-0 Kastriotin, me të gjithë golat e realizuar në pjesën e dytë, ndërsa Skënderbeu dhe Tirana janë mbyllur me rrjeta të paprekura.
Në Kamëz, Eze ka shënuar dy gola për Kukësin, në minutat 50 dhe 59, ndërsa 18 minuta para fundit, Lulaj ka vulosur fitoren e verilindorëve me shifrat 3-0. Kastrioti mbetet në vendin e 7-të, në kuotën e 30 pikëve, 5 më pak sesa Kukësi, ndërsa Tirana mbetet në vendin e 5-të, me 42 pikë. Dy takime të tjera të javës së 27-të, Laçi- Vllaznia dhe Apolonia-Teuta, u luajtën duke nisur nga ora 16:00.
Dhe rezultatet e tyre ndryshuan fizionominë e renditjes. Kështu, përballja midis kurbinasve dhe shkodranëve, e cila ka qenë e luftuar dhe ka dhuruar spektakël, është mbyllur sidoqoftë me rrjeta të paprekura. Nga ky barazim i dy rivaleve, ka përfituar Teuta, e cila nuk ka gabuar, duke fituar në Fier me rezultatin 2-0 ndaj Apolonisë.
Durrsakët, fitorja e të cilëve u arrit me nga një gol për secilën pjesë loje të realizuar nga Lorenco Vila e Bregu, kryesojnë të shkëputur renditjen në kuotën e 49 pikëve, dy më tepër sesa Vllaznia dhe 4 më tepër sesa Laçi i vendit të 3-të. Partizani mban vendin e 4-të, me 44 pikë, një më pak sesa kurbinasit, por ka një ndeshje më pak për të luajtur, atë që do të zhvillojë në fushën e vet ndaj Bylisit.