AlbanianSport.com 13.11.2016 07:05
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionati Kombëtar të Volejbollit për Femra ka luajtur të shtunën 3 nga ndeshjet e javës së saj të 7-të, ndërsa takimi i fundit, ai midis Partizanit dhe Teutës, luhet të hënën, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2, dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale.
Barleti Volej është kampion dimri në volejboll për femra, por dje nuk ka shkëlqyer në lojën e vet ndaj Vllaznisë. Madje ka humbur një set dhe shkodranet me pak më shumë zgjuarsi mund ta kishin futur në të tjera zhvillime ndeshjen e djeshme. Sepse për hir të së vërtetës kanë merituar më shumë. Për t’u evidentuar është se ka dhe momente tensioni në radhët e kampioneve në fuqi.
Aq sa gjyqtari Eduard Preka ka ndëshkuar me karton të verdhë trajnerin e Barletit Volejit, Hasan Gurabardhi. Barleti Volej. Kampionët në fuqi kryesojnë me 20 pikë pas 7 javësh, 5 pikë më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Teuta, e cila sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më pak. Pas durrsakeve vijnë dy rivalet kryeqytetase, Partizani dhe Tirana, me nga 13 pikë secila, por me të kuqet që kanë luajtur një ndeshje më pak.
Nga ana e saj, Tirana e ka pasur një seancë stërvitore ndeshjen e fundit të fazës së parë ndaj Skënderbeut dje në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Sepse, korçaret, për asnjë moment, nuk kanë bërë rezistencë, duke u dorëzuar në 3 sete. Po në 3 sete, Lushnja ka fituar në Divjakë ndaj Elbasanit, në takimin e fundit të kësaj jave.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 7-të
(12-14 nëntor 2016)
Të shtunën:
Barleti Volej – Vllaznia 3-1
Lushnja – Elbasani 3-0
Tirana – Skënderbeu 3-0
Të hënën:
Partizani – Teuta ora 18:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 7 7 0 21-3 20
- Teuta 6 5 1 17-5 15
- Partizani 6 4 2 14-8 13
- Tirana 7 4 3 15-10 13
- Vllaznia 7 4 3 13-14 10
- Lushnja 7 2 5 9-17 5
- Skënderbeu 7 1 6 7-19 5
- Elbasani 7 0 7 1-21 0