AlbanianSport.com 26/05/2020 18:40
ASNN – Sikundër të gjitha skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Luftëtari ka nisur stërvitjen me dy seanca në ditë, në përgatitje për të rifilluar kampionatin, në pjesën e mbetur të tij. Rikthimi i futbollistëve të skuadrës gjirokastrite në fushën e gjelbër dhe gjendja e mirë fizike e tyre, ka shtangur trajnerin Neritan Novi.
“Të them të drejtën, nuk e kam pritur që të gëzonin këtë formë fizike, – ka pohuar ai. – Dy muaj shkëputje janë shumë, e për më tepër duke patur parasysh rrethanat e kësaj karantine që kaluam.” Duke parë gjendjen e mirë të futbollistëve në stërvitje, Novi pranon që skuadra do të jetë në formë optimale për të rinisur kampionatin. Por para kësaj, Luftëtari ka programuar dy ndeshje miqësore.
“Shpresojmë që në këto dy ndeshje miqësore të rifitojmë sadopak formën që të dikton një ndeshje në krahasim me seancat stërvitore”, – ka deklaruar trajneri i gjirokastritëve, Neritan Novi. Deri tani te Luftëtari është i dëmtuar vetëm Isufi, i cili nuk do të jetë gati për ndeshjen e parë të kampionatit. Do të mungojë edhe Açka, i cili nuk është rikthyer ende nga Greqia.