AlbanianSport.com 11.02.2015 11:15
ASNN – Sulmuesi korçar i Luftëtarit i jep zemër skuadrës dhe kërkon më pranë tifozët: “Mënyra e lojës sonë në Ballsh nuk do të përsëritet, kthehemi tek fitoret”. Artnant Tahirllari, i ardhur tek Luftëtari gjatë lëvizjeve të futbollistëve në dimër, të shtunën e kaluar në Ballsh ka zhvilluar ndeshjen e parë si bluzi.
Mirëpo në fillimin e pjesës së dytë ai është zëvendësuar nga trajneri Devolli për arsye teknike, sidomos pas daljes me karton të kuq të Mersinit. Dhe për humbjen në Ballsh, Tahirllari për gazetat sportive të ditës, do të deklaronte: “Nuk mendoj se ishim vetëm ne fajtorët e asaj humbje, sepse në Ballsh gabuan dhe gjyqtarët. Mua më takon të flas për gabimet e skuadrës sime, e cila nuk duhet të dilte pa pikë nga Ballshi.”
“Loja midis dy skuadrave nuk kishte shumë diferencë, kurse skuadra jonë ra shumë në pjesën e dytë, ndoshta nga që ishim me një lojtar më pak, – ka vijuar ai. – Jemi të gjithë fajtorë për atë ndeshje, por mendoj se kjo mënyrë loje nuk do të përsëritet më. Jemi ekip i kompletuar dhe, pavarësisht mungesave, në ndeshjen me Pogradecin nuk do ta diskutojmë fitoren.”
“Ftoj publikun jo vetëm të na mbështesë, por edhe e siguroj se do të shohin një lojë të bukur shoqëruar me rezultatin pozitiv. Do ta konsideroj aksidentale humbjen në Ballsh, ndërsa asnjë të mos e mendojë se Luftëtari do të bjerë nga Kategoria”, – ka përfunduar sulmuesi korçar i Luftëtarit, Tahirllari.