ASNN – Vjen çudia e parë në Superiore, Luftëtari “ngjallet” në Korçë, mposht Skënderbeun dhe parakalon rivalët e mbijetesës. Një rezultat i papritur dhe njëherësh i çuditshëm u regjistrua të dielën në Kategorinë Superiore. Në kuadër të javës së 17-të, dueli i fundit, ai midis Skënderbeu dhe Luftëtarit, përfundoi me fitoren e gjirokastritëve 3-2. Një rezultat befasues në të gjitha dimensionet e tij. Ishte një ndeshje e pakuptimtë në aspektin e rezultatit, pasi Luftëtari në krizë (të paktën kështu thuhej në të gjitha mediat), vjen e bën surprizën e madhe brenda në Korçë, duke zhvlerësuar krejtësisht Skënderbeun.
Me këtë humbje, mund të thuhet se praktikisht dhe zyrtarisht skuadra korçare është në krizë. Madje pas 17 javësh garë Skënderbeu humb dhe konkurrencën me rivalët, pasi zbret në vend të 4-t. Sa i përket ndeshjes, ajo nisi dhe u mbyll me surpriza të shumta. Shumicën e golave në këtë përballje i shënuan vlonjatët. Kështu, për Skënderbeun realizoi Dejvi Bregu, i cili kaloi korçarët në epërsi në minutën e 9-të. Por për Skënderbeun nuk do të kishte aspak qetësi, pasi Demo barazoi shifrat në minutën e 11-të. Mbrojtësi kroat Marko Radash shënon në portën e tij në minutën e 18-të, duke bërë që të kalojnë në epërsi gjirokastritët.
Por ishte sërish Bregu që barazoi shifrat në minutën e 25-të. Pra në harkun kohor të 18 minutave u shënuan 4 gola, nga dy për secilën skuadër, një duel që për herë të parë prodhonte kaq shumë gola në një pjesë loje. Megjithatë, surpriza e madhe do të vinte në pjesën e dytë. Loja e ekuilibruar i dha shpresë ekipit gjirokastrit të mos dilte pa pikë nga Korça. Madje me kalimin e minutave, duke shpresuar tek kundërsulmi, rriti volumin e shpërthimit në krah dhe në qendër dhe taktika e trajnerit Gentian Mezani dha efekt, pasi u fitua një 11-metërsh në minutën e 85-të. Dhe vlonjati Vasil Shkurtaj nuk fal nga pika e bardhë, por e dërgon topin në rrjetë.
Duke i dhënë fitoren Luftëtarit, i cili rimerr vendin e 7-të, tashmë me 16 pikë, duke i vënë nën presion rivalët në zonën e mbijetesës. Padyshim, për Skënderbeun ishte një goditje e rëndë, qoftë për objektivat, por edhe për situatën psikologjike të grupit. Kjo ishte humbja e 3-të radhazi për ekipin e trajnerit Orges Shehi, që mbetet në kuotën e 30 pikëve, por tashmë në vendin e 4-t, pasi ka para Partizanin, Teutën dhe Kukësin, ndërsa “kërcënohet” nga dy ndjekëset, që janë Laçi me 29 pikë dhe Flamurtari me 28 pikë.
Kategoria Superiore
Java e 16-të
Të premten, 14 dhjetor 2018:
Partizani – Kukësi 0-0
Të shtunën, 15 dhjetor 2018:
Laçi – Tirana 2-1
Flamurtari – Kamza 1-0
Të dielën, 16 dhjetor 2018:
Kastrioti – Teuta 0-4
Skënderbeu – Luftëtari 2-3
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 17 11 3 3 18-8 36
- Teuta 17 9 5 3 23-12 32
- Kukësi 17 9 4 4 16-9 31
- Skënderbeu 17 9 3 5 20-12 30
- Laçi 17 8 5 4 15-12 29
- Flamurtari 17 8 4 5 15-11 28
- Luftëtari 17 5 1 11 14-20 16
- Tirana 17 3 5 9 18-21 14
- Kamza 17 3 3 11 8-20 12
- Kastrioti 17 3 1 13 11-33 10