AlbanianSport.com 22.01.2015 13:30
ASNN – Kapiteni i bluzinjve mendon se përforcimet dhe mbështetja e Bashkisë janë bonus për ekipin. Në lidhje me situatën e tanishme në skuadrën gjirokastrite, kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shenaj, për gazetat sportive të ditës, shprehet se: “Ka një mobilizim dhe përkushtim nga të gjithë futbollistët në stërvitjen e këtyre ditëve, çka tregon se ekipi është në rrugë të mbarë dhe premton rezultate pozitive në fazën e dytë. Nuk janë vetëm përforcimet e tanishme në skuadër, që premtojnë përmirësimin e lojës. Ndonëse Tahirllari dhe Dosti janë me “vlerë” në ekipin tonë dhe kontributi i tyre në lojë do të japë edhe rezultat.”
“Por mbështetja nga Bashkia dhe presidenti Flamur Bime po shoqërohen me rritjen e nivelit të lojës nga të gjithë futbollistët, – ka vijuar ai. – Vendin e tetë, që mbajmë aktualisht në klasifikim, nuk është se e kemi “merituar”. Por fakti që humbëm tre takimet e para ndikuan shumë në pozicionimin tonë në renditje. Shenjat e një kthese në lojë i kemi dhënë që në fazën e parë. Por tani e them me bindje se në pjesën e dytë të sezonit, Luftëtari do të jetë e përgatitur për të fituar në ndeshjet që do të zhvillojë. Në fushën tonë nuk do ta diskutojmë asnjëherë fitoren.”
“Por më shumë kujdes duhet të bëjmë në ndeshjet në fushë të huaj, ndryshe nuk mund t’i bashkohemi skuadrave që pretendojnë Kategorinë Superiore, – ka theksuar Shenaj. – Tani kemi kushte ideale për stërvitje, pasi ishte mungesa e një terreni për t’u përgatitur dhe nuk mund të pretendonim më shumë. Sepse na duhej të stërviteshim në “kalçeto” dhe më e keqja fare në Pallatin e Sportit.”
“Objektivi jonë më i afërt është që në përfundim të fazës së dytë t’i bashkohemi ekipeve qe janë në krye të klasifikimit dhe në fazën e tretë të synojmë të klasifikohemi të parët në Grupin e Jugut, i cili është shumë i fortë dhe janë disa skuadra që pretendojnë vendin e parë. Por ne do të bëjmë llogaritë tona dhe e vetmja mundësi është që të luftojmë për fitore në çdo takim”, – ka përfunduar kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shenaj.