AlbanianSport.com 18.02.2015 20:25
ASNN – Të besuarit e trajnerit Bledar Devollit janë përpara një sfidë të vështirë,e cila do të luhet të shtunën në stadiumin “Bashkim Sulejmani” në Kuçovë. Për objektivat që Luftëtari ka këtë sezon, atje ku lufton jo vetëm për mbijetesë, por dhe pse jo për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, atëherë bluzinjve u duhet medoemos fitorja në Kuçovë.
Pas humbjes në Ballsh me Bylis, Devolli është shprehur se skuadra që ai drejton do t’i fitojë ndeshjet e mbetura deri në përfundim të fazës së dytë. Sepse, sipas tij, vetëm kështu do të vazhdojë të pretendojë për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Të shtunën e ardhshme do të ndeshet në Kuçovë me skuadrën vendëse, Naftëtarin.
Kjo e fundit ndodhet në fundin e tabelës së renditjes dhe shumë e rrezikuar për rënien nga kategoria. Naftëtari është skuadër e pathyeshme në fushën e vet dhe shpreson të fitojë edhe ajo. Që do të thotë se ndeshja e radhës do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat.
Luftëtari në këtë kampionat nuk ka fituar shumë pikë jashtë fushës së saj dhe i jepet mundësia që t’i marrë tani pavarsisht se Naftëtari është i favorizuar nga faktori fushë. Naftëtari është skuadër që ka treguar përmirësime në pjesën e dytë të sezonit dhe kjo është vënë re në përballjen e një jave më parë në Sarandë.