AlbanianSport.com 24.09.2014 08:40
ASNN – Përfundimisht është zgjidhur ngërçi nga dikasteri më i lartë i futbollit shqiptar për nisjen e kampionatit të Kategorisë së Parë. Në këtë mënyrë, pas dy javësh shtyrje, Federata Shqiptare e Futbollit ka qetësuar dhe sportdashësit, të cilët të shtunën në hapjen e kampionatit është e sigurt se do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit. Madje në Gjirokastër fansat bluzi janë duke e pritur me padurim ndeshjen me Dinamon, sepse në fushë do të jenë dy ekipet më të njohura të futbollit shqiptar. Dhe për ta nxjerrë me sukses këtë ndeshje, gjirokastritët e Bledar Devollit janë duke u përgatitur seriozisht.
Madje edhe mbrojtësi shkodran Ervin Rexha, duke folur për gazetat sportive të ditës do të deklaronte se fillimi i mbarë i këtij kampionati do të jetë gjysma e punës për realizimin e objektivit final, që është ngjitja në Superiore. “Ne jemi të kënaqur për zgjidhjen që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila më së fundi ka vendosur që ta nisi kampionatin. Ishim futur të gjithë në një siklet të madh, sepse ende nuk po e dinim se kur do të niste gara. Megjithatë ne si skuadër ishim përgatitur dhe po përgatitemi për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Dinamos.”
“Mendoj se jemi në rrugën e duhur, kurse është sezoni i parë që do të luajë me fanellën e Luftëtarit, – ka vijuar ai. – Sezone më parë kanë qenë bashkëqytetarët e mi që kanë kontribuar për Luftëtarin të tillë si Armando Cungu, Edi Martini, Suad Lici, për të vazhduar më pas tek Boçi, Raboshta, Galica dhe Karakaçi. Do të di të justifikoj besimin e plotë që kanë drejtuesit e Luftëtarit ndaj meje dhe ky besim shpërblehet vetëm me punë dhe me suksese. Ndaj edhe në ndeshjen e parë të kampionatit, që do të zhvillojmë ndaj Dinamos, jo vetëm që duhet të jetë një ndeshje e fortë, por mbi të gjitha një ndeshje e suksesshme për ne.”
“Është një ndeshje mes të fortëve, ndërsa duke u bazuar tek stërvitja që ne kemi bërë, atëherë do të jemi të suksesshëm. Ky ekip është ndërtuar për të qenë vitin e ardhshëm në Kategorinë Superiore. E në këtë ndeshje zyrtare të parë do të futemi në fushën e lojës për të treguar forcën ndaj Dinamos, ndërsa ata që do të vijnë ta shohin ndeshjen do të dinë ta vlerësojnë skuadrën, e cila ka një objektiv, që është ngjitja në Superiore”, – ka përfunduar mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Ervin Rexha.