AlbanianSport.com 31.10.2015 07:55
ASNN – Pas skuadrës, edhe tifozët me besimin e plotë se në qytetin e liqenorëve do të merren pikë. Duka dhe Lluka ndryshojnë formacionin e Devollit, pjesa tjetër është si në ndeshjen me Bylisin. Një ndeshje e vështirë jashtë fushe parashikohet për bluzinjtë e Luftëtarit takimi i së shtunës ndaj Pogradecit, që do të luhet në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të liqenorëve.
Gjatë gjithë javës nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, duke përfituar nga kushtet e favorshme të motit, skuadra është përgatitur për të marë një rezultat pozitiv në Pogradec. Ndryshe nga ndeshjet e tjera të luajtura në fushë të huaj, Luftëtari do të udhëtojë që ditën e sotme drejt Pogradecit, nisur kjo dhe nga fakti i largësisë mes dy qyteteve.
Sepse vetëm kështu mund të jenë më të qetë për të përgatitur ndeshjen, ndërsa bluzinjtë shpresojnë të mos dalin pa pikë që këndej. Pogradecarët vijnë në këtë ndeshje pas humbjes të pësuar një javë më parë në Sarandë me Butrintin vendës, humbje që për ta nuk ishte e merituar nga mënyra si u zhvillua loja dhe goli i pësuar në minutat e fundit ishte më shumë aksidental.
Sepse ka ardhur nga një goditje standarde e ekzekutuar mjeshtërisht nga Muço. Ndërkohë që Luftëtari mori fitoren e parë në këtë sezon ndaj skuadrës Bylisit të Ballshit me një lojë bindëse, atje ku në më të shumtën e kohës luajti me një lojtar më pak për shkak të nxjerrjes nga loja me karton të kuq të sulmuesit Shehaj, kjo pas dy kartonëve të verdhë.
Shpresohet shumë që gjirokastritët të vazhdojnë serinë e fitoreve, por nga deklarimet e tyre duket se janë të kënaqur edhe me një barazim. Dhe kjo sepse e dinë që Pogradeci ka një grup futbollistësh cilësorë dhe me ndeshjet e zhvilluara deri tani kanë treguar se janë edhe ata pretendentë për Kategorinë Superiore.