AlbanianSport.com 07.01.2015 11:15
ASNN – Luftëtari e ka vazhduar stërvitjen me dy seanca stërvitore në ditë nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli. Për shkak të temperaturave të ulëta, stërvitja e gjirokastritëve është karakterizuar nga vrapimet e gjata në grup.
Ditën e djeshme gjirokastritëve u është shtuar dhe korçaret Artanat Tahirllari, i cili ka luajtur me Elbasan, ndërsa së bashku me Brahon e Dostin e çon në tre numrin e të ardhurve tek Luftëtari nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
Tashmë pritet dhe Brunild Pepa, i cili do t’i bashkohet gjirokastritëve sot, ndërsa sipas trajnerit Devolli për Luftëtarin do të ketë edhe përforcime të tjera. E kjo jo vetëm për të fuqizuar më shumë skuadrën, por edhe për të kompensuar largimet e Sulejmanit, Nelajt, Shehajt, Zhupës dhe Aliajt.
Në dilemë mbetet vlonjati Qejvani, që mungesën në ditën e dytë të stërvitjes e justifikon me arsye shëndetësore. Ndërkohë janë përfolur të vishen bluzi dhe vlonjatët Beqiri e Liçaj.