AlbanianSport.com 13.02.2015 09:45
ASNN – Për herë të tetë gjatë këtij viti, presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, është takuar me futbollistët dhe drejtuesit e skuadrës. Shkak duket se është bërë loja e dobët që skuadra gjirokastrite zhvilloi një javë më parë në Ballsh, teksa e humbi ndeshjen minimalisht 0-1. Duke qenë se nesër Luftëtari do të presë Pogradecin në Gjirokastër, atëherë i duhet medoemos fitorja për të mos rrezikuar dhe më shumë rënien nga kategoria. Dhe nëse ndodh kjo do të jetë shumë e rëndë për futbollin gjirokastrit. Sepse tek kjo skuadër janë bërë shumë investime dhe futbollistët jo vetëm janë lojtarë profesionist, por edhe nga më të paguarit në skuadrat e kësaj kategorie.
Të paktën kjo edhe sipas presidentit të Luftëtarit, ndërsa Bime në takimin e djeshëm ka mbajtur qëndrim të prerë dhe jo vetëm i ka paralajmëruar futbollistët për masa të tjera ndëshkimore, gjithnjë nëse nuk reflektojnë në lojë dhe rezultat, por u ka komunikuar edhe disa masa ndëshkimore. Për të gjithë futbollistët do të ketë ulje të pagës mujore nëse nuk do të ketë vazhdimësi në fitore, ndërsa për humbjen në Ballsh masat janë të tilla, teksa Mersini është gjobitur me 200,000 lekë për kartonin e kuq dhe për sjelljen jo profesioniste ndaj gjyqtarit. Dhe në të ardhmen për çdo lojtar i cili do të penalizohet me kartonë në rastet e thyerjeve disiplinore do të ketë një gjobë 50,000 lekë.
Gjithashtu nisur nga fakti se ka shumë mungesa nga futbollistët në stërvitje në të ardhmen për çdo futbollist që do të mungojë në stërvitje do të ketë një gjobë prej 10 mijë lekësh dhe në rast përsëritje do të përjashtohet nga ekipi. Të gjitha këto masa disiplinore jepen dy ditë përpara zhvillimit të takimit me Pogradecin dhe, sipas presidentit Flamur Bime, do të shërbejnë për mobilizimin e të gjithë futbollistëve jo vetëm për ta fituar ndeshjen, por dhe për të dhënë shenja besimi se e meritojnë fanellën e Luftëtarit. Ka shumë rëndësi fitorja ndaj pogradecarëve nga vetë pozitat ku ndodhet sot Luftëtari.
Ndryshe situata bëhet edhe më e vështirë, sepse edhe gara për t’i shpëtuar rënies nga kategoria është e fortë. Shkumbini dhe Naftëtari kanë rritje në lojën e tyre dhe në pjesën e dytë të sezonit do të kërkojnë fitoren si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së tyre. Dhe në këto kushte Luftëtarit nuk i lejohen gabimet në fushën e vet, sepse më pas futet në vallen e kandidatëve për të rënë nga Kategoria. Fitorja ndaj Pogradecit, veç të tjerave, ishte edhe qëllim i takimit që Flamur Bime zhvilloi me skuadrën dhe drejtuesit e Luftëtarit.