AlbanianSport.com 08.02.2015 10:05
ASNN – Luftëtari nuk mundi të fitonte në fushën e vet me fqinjin e saj Butrintin e Sarandës. Dhe në përfundim të fazës së dytë pozicionohet në vendin e parafundit duke lënë mbrapa vetëm Naftëtarin. Dhe për rrjedhojë fazën e tretë do ta ketë shumë të vështirë, jo vetëm sepse do të luajë pesë ndeshje në fushë të huaj, por dhe me rivalët direkt Naftëtarin dhe Shkumbinin do të luajë jashtë Gjirokastrës. Ndeshja me Butrintin tregoi se skuadra ka shumë mangësi, sidomos në përgatitjen fizike, sepse si edhe në shumë takime të tjera në pjesën e dytë është treguar e pafuqishme.
Madje sarandjotët kanë shpërdoruar raste të pastra shënimi. Futbollistët gjirokastritë, edhe pse u duhej me çdo kusht fitorja, ndërtuan shumë pak aksione sulmuese dhe në ato pak raste qe krijuan gabuan në momentin e gjuajtjeve në portë. Shumë pasime të gabuara dhe kthim të topit mbrapa u dha mundësi sarandjotëve të ishin ata superiorë dhe ta kontrollonin lojën në favor të tyre. Vetëm dy gjuajtje në 45 minutat e pjesës së dytë ishin shumë pak për të shkuar tek fitorja duke ia lënë rastësisë shënimit të golit, pa e kërkuar atë me aksione sulmuese sidomos nga krahët.
Por Luftëtari ka luajtur me topa në qendër, që në shumicën e rasteve përfunduan jashtë ose në duart e portierit Haxho. Për kronikë, mund të përmendim se rasti i parë për gol i takon Mustafait, që dha sinjalin se ndeshja do të kontrollohej nga Butrinti. Mersini dhe Dosti për Luftëtarin shpërdoruan dy raste, por Çaços i jepet mundësia më e mirë që të kalonte Luftëtarin në epërsi. Në fundin e pjesës së parë, një prekje me dorë nga një mbrojtës i Butrintit u konsiderua e pavullnetshme nga gjyqtari i ndeshjes. Por duke qenë se rregullorja ka ndryshuar, ai vendim solli edhe reagimin e tifozërisë vendase.
Pjesa e dytë u dominua nga sarandiotët, sidomos fundi i saj, atje ku në 3-4 raste shënimi Butrinti duhet të kishte kaluar në epërsi me anë të Pepës e Raboshtës. Madje disa herë në këmbë është ngritur dhe presidenti Stefan Çipa, i cili e ka parë ndeshjen së bashku me presidentin e Luftëtarit, Flamur Bime. Në përfundim një lojë korrekte mes të dy skuadrave, sjellje korrekte e tifozerive dhe një barazim pa gola që nuk i bëri punë Luftëtarit.
Luftëtari – Butrinti 0-0
Luftëtari: Thano, Rexha, Brahimi, Zholi (Tahirllari 55’), Duka, Braho, Dosti (Lluka 68’), Shenaj, Mersini, Çaço, Frashëri. Trajner: B. Devolli
Butrinti: Haxho, Xhuvani, Alzeneli (Zguro 49’), Rapa, Aleksi, Hepaj (Dorti 79’), Jubani, Muço, Mustafai, E. Papa (K. Papa 86’), Raboshta. Trajner: M. Hysi.
Gjyqtarë: K. Shahini, F. Elezi, A. Demiraku (Durrës)
Kartonë të verdhë: Frashëri, Rexha, Brahimi / Aleksi