AlbanianSport.com 10.02.2015 10:55
ASNN – Mungojnë në këtë sfidë portieri Thano, Çunaj dhe Ergys Mersini, që u ndëshkuan me kartonë. Fitorja me liqenorët është domosdoshmëri, sepse ndryshe gjirokastritët janë në prag të rënies. Luftëtari i është kthyer dje stërvitjes pavarësisht kushteve të këqija atmosferike. Humbja shokuese të shtunën në Ballsh ndaj skuadrës vendëse Bylis, jo vetëm ia bën të pamundur objektivin e prezantuar në fillimin e sezonit për t’u ngjitur në Superiore, por gjirokastritëve u duhet të mendojnë dhe të luftojnë për të mos rënë nga kategoria.
Mendohej premtuese loja e Luftëtarit në rinisje të sezonit, jo vetëm nga përforcimet e kryera, por edhe duke pasur kushte ideale për stërvitje. Nuk ndodhi kështu dhe loja e zhvilluar në Ballsh jo vetëm nuk tregoi rritje, por ishte nga ndeshjet më të dobëta që Luftëtari ka zhvilluar në këtë kampionat. Shumë i pakënaqur presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, që është shprehur se nuk do ta lejojë situatën të vazhdojë kështu dhe ka paralajmëruar për masa disiplinore dhe financiare. Një ndeshje e vështirë mund të konsiderohet edhe ajo e javës së ardhshme ndaj Pogradecit në Gjirokastër dhe tani Luftëtarit i duhet me çdo kusht fitorja për të mos u rrezikuar.
Sepse kjo skuadër në ndeshjet e zhvilluara deri tani në fushë të huaj ka marrë vetëm dy pikë dhe nëse nuk do të fitojë në fushën e vet nuk është çudi që të bjerë nga kategoria. Do të ketë tre mungesa nga titullarët në këtë takim. E fjala është për Thanon, Çunajn dhe Ergys Mersinin. Po përsëritet dukuria e fazës së parë, atje ku skuadra gjirokastrite pati shumë mungesa nga titullarët në çdo ndeshje si pasojë e penalizimit të futbollistëve me kartonë. Kjo është tjetër dukuri negative në radhët e futbollistëve që ka ndikuar për keq në lojë dhe rezultat tek kjo skuadër.