ASNN – Gjirokastritët përgatisin ndeshjen me Pogradecin, por vazhdojnë polemikat me Bylisin. Bluzinjtë kanë nisur përgatitjet e tyre për ndeshjen e vështirë që kanë këtë fundjavë, teksa do të jenë përballë Pogradecit në Stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.
Ndeshja shihet e vështirë për bluzinjtë, edhe sepse skuadra e Bledar Devollit do të ketë mungesa, ndërsa nuk do të jetë vlonjati Lorenc Shehaj, i cili në ndeshjen me Bylisin është ndëshkuar me karton të kuq në fundin e pjesës së parë.
E për ta zëvendësuar atë, trajneri Devolli është duke punuar me grupin në mënyrë që të gjejë lojtarin që do t’i përshtatet rolit të vlonjatit Shehaj. Një lajm i mirë për bluzinjtë është rikthimi nga dëmtimi i mesfushorit Mirel Duka.
Por gjirokastritët vijojnë të jenë të irrituar me deklaratat e pas ndeshjes nga ballshiotët, sidomos nga trajneri Roland Nenaj, që pat thënë se është bërë presion ndaj gjyqtarëve, si dhe është thyer dera e dhomës së zhveshjeve të gjyqtarëve.