AlbanianSport.com 03.01.2015 19:05
Luftëtari e ka nisur javën me disa mungesa titullarësh, të cilët kanë qenë pranë familjeve të tyre. Sepse për shkak të kushteve të këqija të motit në jug e kanë vonuar një ditë ardhjen e tyre në Gjirokastër. Pjesa tjetër e skuadrës e ka nisur përgatitjen për fillimin e fazës së dytë që starton të shtunën e ardhshme. Luftëtari ka një ndeshje të vështirë në çelje të pjesës së dytë të sezonit, teksa do të jetë në Ballsh me Bylis.
Janë skuadra që ndahen vetëm me një pikë më shumë duke ndarë vendet 7-8 në renditje. Bylis me një pikë më shumë se Luftëtari do të kërkojë shkëputjen, ndërkohë që gjirokastritët presin të fitojnë dhe të pretendojnë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Luftëtari për këtë qëllim ka afruar në merkaton dimërore futbollistët Dosti dhe Tahirllari të ardhur nga ekipet e Superiore, Apolonia dhe Elbasani.
Ditën e djeshme ka dalë në stërvitje edhe Florian Braho, futbollist shumë i kërkuar nga trajneri Bledar Devolli. Braho është lojtar tipik sulmues krahu dhe dallohet për shpejtësi dhe fantazi në lojë. Këto cilësi e kanë bindur Devollin të këmbëngulë për ardhjen e Brahos në skuadër. Ky futbollist iu bashkua Luftëtarit në fillimin e fazës përgatitore, por u largua me mendimin për t’u aktivizuar në skuadra të tjera.
Kthimi i tij pranë Luftëtarit zgjidh më mirë vendosjen e futbollistëve gjirokastritë sipas cilësive individuale, pasi në fazën e parë kësaj skuadre i munguan lojtarët tipik sulmues. Për Devollin do të jetë më e lehtë përcaktimi i formacionit me futbollistët e duhur sipas reparteve dhe Dosti në mbrojtje e Tahirllari në sulm e bëjnë skuadrën më funksionale dhe plotësojnë më mirë boshllëqet e krijuara nga largimi i disa futbollistëve nga kjo skuadër në përfundim të fazës së parë.