AlbanianSport.com 29/06/2020 23:55
ASNN – Kanë prekur fundin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por nuk pranojnë të bëjnë kokë turku trajnerin, që në fakt është i 5-ti brenda vetëm këtij sezoni. Pas humbjes katastrofike, 1-6, të pësuar në Vlorë përballë Flamurtarit të vendit të fundit, që çoi në rrokadën e tyre në tabelën e renditjes së Kategorisë Superiore, Trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, deklaroi dorëheqjen.
“Me këtë humbje e meritojmë vendin e fundit, – tha ish-lojtari i gjirokastritëve pas ndeshjes në Vlorë. – U bë e vështirë të shohësh skuadrën që pëson 5-6 gola në çdo ndeshje, ndaj mbaj përgjegjësi dhe do t’i kërkoj presidentit dorëheqjen time.” Në fakt, që nga ajo humbje 1-2, por që premtoi diçka për skuadrën gjirokastrite, gjithçka ka marrë tatëpjen për bluzinjtë.
Duke nisur nga 7 qershori, Luftëtari është mundur 0-5 nga Tirana, 1-8 nga Partizani, 1-5 nga Teuta dhe 1-6 nga Flamurtari, duke pësuar plot 24 gola në vetëm 4 ndeshje, plot 6 gola për ndeshje, dhe duke shënuar vetëm 3. Dhe ky dështim në rezultate ka çuar si në rënien, së bashku me Flamurtarin, edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, por edhe në zbritjen në vendin e fundit të renditjes.
Përtej gjithë kësaj, 24 orë më pas, drejtuesit e klubit gjirokastrite nuk e kanë pranuar vendimin e trajnerit dhe ai do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e Luftëtarit deri në fund. “Presidenti nuk ia pranoi dorëheqjen trajnerit Novi, – ka sqaruar administratori i klubit, Vangjel Çavo. – Ai do të vazhdojë të jetë trajner i Luftëtarit. Do vazhdojmë garën deri në fund duke promovuar lojtarë të rinj dhe të përgatitemi për sezonin e ardhshëm.”