AlbanianSport.com 12.12.2014 11:15
ASNN – Në takimin e së shtunës, Luftëtari do të jetë në fushë të huaj, në Tiranë ndaj Dinamos. E pas kësaj ndeshje, Luftëtari ka dhe dy takime të tjera, të cilët janë përcaktuese për pozicionin që do të ketë në renditje në fund të dhjetorit. Madje marrja e pikëve maksimale në këto ndeshje do të jetë dhe një shans për gjirokastritët për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Barazimi me Butrintin në Sarandë me rezultatin 1-1 dhe me një lojë më të mirë për gjirokastritët ia lë vendin asaj me Dinamon dhe disa ditë më vonë do të luajë përballë Sopotit. Në fazën e parë, Luftëtari u mund nga Dinamo 0-2, por u justifikua me mungesën e disa titullarëve në formacion, si dhe mungesës së fatit, që sipas tyre, nuk ishte me ta.
Edhe pse Luftëtari pozicionohet në vendin e tetë në klasifikimin e deritanishëm vazhdon të pretendojë me idenë se diferenca me vendin e parë është pesë pikë. Madje pretendon edhe me faktin se Sopoti do të luajë të shtunën në Sarandë, skuadër e cila nuk lejon që t’i humbasë pikët e veta në fushën e saj. Një fitore e Luftëtarit ndaj Dinamos në Tiranë e komplikon shumë “luftën” për vendin e parë në Grupin e Jugut.
Dhe skuadrave që pretendojnë Superioren u bashkohen edhe bluzinjtë. Për këtë qëllim, trajneri gjirokastrit Bledar Devolli po e përgatit ekipin për të marrë rezultat pozitiv pa u ndikuar nga emri dhe përvoja e skuadrës dinamovite, e cila humbi një javë më parë në Pogradec me rezultatin 1-3. Ajo që dihet është se Dinamo do të kërkojë të rikuperojë pikët e humbura në Pogradec.