AlbanianSport.com 11/11/2020 21:15
ASNN – Komisioni i Disiplinës përjashton zyrtarisht 2 skuadra, Skënderbeu e humbet ndeshjen në tavolinë. Kështu, Disiplina e ka përjashton skuadrën gjirokastrite dhe klubin e Spartakut nga aktivitetet futbollistike këtë sezon. Në vendimin e së martës të organit juridik të FSHF-së, klubi i Luftëtarit është dënuar me përjashtim nga Kategoria e Parë dhe zbritje në një nivel më poshtë.
Fatin e gjirokastritëve e ka pësuar dhe klubi i Kategorisë së Dytë, Spartaku, i cili është përjashtuar nga garat dhe zbret në Kategorinë e Tretë. Të dy klubet nuk janë paraqitur në ndeshjet e para të këtij sezoni. Nga ana tjetër, Disiplina paralajmëron klubin e Besës se do të marrë masa penalizuese në rast se nuk përmbush përgjegjësitë për organizimin e ndeshjes.
Për të njëjtën çështje është penalizuar dhe ekipi i femrave të Skënderbeut duke humbur takimin e fundit me Apoloninë 0-3 në tavolinë.
Ja të gjitha vendimet e Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 10.11.2020
- Lojtari i KF Erzeni, Xhino Ngjela për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- FC Besa, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
- KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Parë kundër KF Turbina, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/d/e të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, përjashtohet nga aktiviteti për sezonin futbollistik 20/21 duke u zbritur një kategori më poshtë.
- Lojtari i FK Skrapari, Skedi Shabani për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Skënderbeu Femra, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në ndeshjen kundër Apolonia – Femra në bazë të Neneve 30 dhe 64 të KDS humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
- KF Spartaku, për dështim në pjesëmarrjen në Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë në bazë të nenit të 27 te KDS dhe Nenit 109/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike përjashtohet nga Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë per sezonin 20/21 dhe dënohet me zbritje në një kategori më të ulët.