AlbanianSport.com 23.01.2015 10:15
ASNN – Pas Tepelenës ka refuzuar dhe Memaliaj, bluzinjtë e kalojnë vetëm me ndeshje brenda familjes. Luftëtari mbetet pa ndeshje miqësore, me gjithë insistimin e trajnerit Bledar Devolli për të gjetur skuadër që të ndeshet në këtë periudhë përgatitore dimërore.
Në fakt pas refuzimit të Tepelenës për të luajtur të mërkurën me Luftëtarin, kjo për shkak se ekipi i trajnerit Selimi ka pasur shumë të dëmtuar, bluzinjtë kishin kontaktuar me Memaliajn. Por dhe kjo e fundit nuk u përgjigj pozitivisht, ndërsa bluzinjtë tashmë janë në pritje të përgjigjes së Butrintit për të luajtur të dielën në Gjirokastër.
Skuadra që Devolli ka formatuar për fazën e dytë, sipas tij, e ka të nevojshme të zhvillojë disa takime miqësore deri në fillimin e kampionati. Afrimet e reja nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve deri më tani duhen harmonizuar mirë me pjesën tjetër të lojtarëve.
Sepse brenda skuadra ka dhe lëvizje nëpër pozicione të reja, që do të thotë se Devolli duhet t’i vëzhgojë dhe të krijojë një përshtypje për titullarët që do të jenë në ndeshjet zyrtare. Duke mos gjetur skuadër për të luajtur, në stërvitjet e pasditës Devolli zhvilloi ndeshje brenda grupit me kohë të plotë duke luajtur edhe ai vet në njërin krah të fushës.