AlbanianSport.com 19.01.2015 21:15
ASNN – Deri dje vetëm një futbollist mund të konsiderohet i zyrtarizuar si pjesë e Luftëtarit. Është fjala për korçarin Artanat Tahirllarin, i huazuar fazën e parë nga Skënderbeu i Korçës tek Elbasani. Duhet thënë se në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në verë, në fillim të këtij kampionatit, ky lojtar është kërkuar me këmbëngulje nga bluzinjtë.
Dhe u mendua se do t’i bashkohej kësaj skuadre, por gjirokastritët nuk mundën ta bënin të tyrin. E tanimë ata janë të kënaqur jo vetëm nga ardhja e tij, por edhe nga paraqitja e bërë. Luftëtari, në fazën e parë, luajti pa futbollistë me cilësi sulmuese. Por edhe pse kampionati po afron duket se është mbrapa në plotësimin e ekipit me futbollistët e duhur.
E kjo jo vetëm si cilësi, por edhe si numër nga fakti se ka shumë të larguar apo vetëlarguar. Që do të thotë se skuadra ka nevojë për të bërë plotësimet e duhura. Drejtuesit gjirokastritë janë shprehur se ditën e sotme priten të vijnë lojtarët e premtuar dhe kjo, po sipas tyre, do të realizohet me patjetër/ Pasi lojtarët kanë marrë porosinë dhe garancinë financiare nga presidenca dhe drejtuesit e skuadrës.
Vetëm një i ardhur deri tani është shumë pak për nga vetë nevojat që ka aktualisht Luftëtari. Aq më tepër që pretendohet ngjitja në Kategorinë Superiore. Nëse do të bëjë plotësimet e duhura, objektivi bëhet i realizueshëm edhe për shkak të plotësimit të kushteve stërvitore, ndërsa skuadra nuk do të kyçet më në Pallatin e Sportit në Gjirokastër.
Trajneri Devolli ka deklaruar ditë më parë se do të afrohen 3-4 futbollistë nga ekipet e Superiores, por ata duan edhe kohën e duhur të alternohen më skuadrën. Ndaj kjo javë duhet konsideruar vendimtare për të ardhmen e Luftëtarit.