AlbanianSport.com 28.02.2015 07:05
ASNN – Luftëtari ka për të zhvilluar sot një nga ndeshjet më të vështira të fazës së dytë në grupin e Jugut të Kategorisë së Parë, teksa në Gjirokastër do të presë kryesuesen Lushnja. Verdhejeshilëve, të paktën edhe sipas bluzinjve, pas heqjes së tre pikëve nga renditja Dinamos i janë shtuar shpresat për të qenë në Kategorinë Superiore.
Dhe për ta ndeshja në Gjirokatstër është pengesë që nëse kapërcehet do të thotë që lehtësohen të gjitha gjërat për të shkuar në Kategorinë Superiore, sepse do të jenë të favorizuar dhe nga kalendari i fazës së tretë. Është në ndjekje të Lushnjës, Butrinti, Bylis dhe Dinamo.
Ndaj një fitore në fushë të huaj e verdhejeshilëve është me shumë vlera. Nga ana e tyre, gjirokastritët janë më të motivuar të fitojnë, ndryshe rrezikojnë shumë për të rënë nga kategoria dhe vetëm trepikëshi i mban me shpresë jo vetëm të jenë më të sigurt në qëndrimin në Kategorinë e Parë, por edhe të vendosen midis 5 skuadrave më të mira në grup.
Nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli gjirokastritët kanë bërë përgatitjet e duhura dhe janë të bindur në fitore edhe nga fakti se luajnë në fushën e tyre. Dhe me përjashtim të dy humbjeve në dy javët e para në këtë sezon, në fushën e tyre bluzinjtë kanë arritur vetëm fitorë. Këtë gjë shpresojnë të realizoinë edhe në ndeshjen e sotme.