AlbanianSport.com 03.03.2015 16:55
ASNN – Faza e tretë, një garë mes aleancash e miqësish, mund t’i penalizojë më shumë gjirokastritët. Vështirësia më e madhe për skuadrën gjirokastrite, në këtë ndeshje, është fakti se deri tani në takimet në fushë të huaj ka rezultuar e dështuar. Ajo ka mundur të fitojë vetëm dy pikë, duke barazuar në fazën e parë në Pogradec dhe në Sarandë.
Është e vetmja skuadër me kaq pak pikë të fituara në ndeshjet e ndeshjet jashtë fushe në këtë kampionat, ndërsa skuadrat e rreshtuara pas saj në klasifikim kanë qenë më të suksesshme në këtë drejtim. Dhe kjo e penalizon më shumë Luftëtarin që, nëse nuk do të marrë pikë nga ndeshja me Shkumbinin, duket se do të përfundojë në fundin e tabelës së klasifikimit.
Edhe nëse do të fitojë, sërish në javën e fundit duke pritur në Gjirokastër pretendentët e Butrintit përsëri do ta ketë të vështirë, sepse sarandjotët kërkojnë të ngjiten në Kategorinë Superiore. Klasifikimi në fundin e tabelës, në përfundim të kësaj faze, do t’ia bëjë edhe më të vështirë Luftëtarit ecurinë e mëtejshme, pasi kalendari në vazhdim nuk e favorizon. Sidomos me skuadrat që do të rivalizojnë për qëndrimin në kategori.
Dihet se në këtë fazë fillojnë edhe “miqësitë” dhe aleancat janë normale në futbollin shqiptar. Ato edhe kanë filluar dhe gjithmonë viktimë mbetet ekipi që mbetet i fundit në tabelën e klasifikimit. Në skuadrën gjirokastrite, që nga dita e djeshme, është vendosur heshtje shtypi. Por nuk duhet të jetë kjo mënyra e zgjidhjes dhe përmirësimit të situatës, pasi mediet mund të flasin edhe kur të tjerët heshtin.