AlbanianSport.com 18.02.2015 10:25
ASNN – Luftëtari ka nisur përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë për ndeshjene radhës me Naftëtarin në fushën e kësaj të fundit. Luftëtari shkon në Kuçovë pas një loje shumë të mira ndaj Pogradecit, por duhet pranuar se pjesa e dytë nuk ishte në nivelin e së parës, sidomos në aspektin e përgatitjes fizike.
Ndaj dhe Devolli ka shtuar dozat e stërvitjes në këtë drejtim. Do të ketë dy mungesa nga titullarët, Ergys Mersinin dhe Ervin Rexhën. Por do të kthehet në formacion Florian Braho dhe tek ky futbollist Devolli shpreson shumë për vetë cilësitë që ka, sidomos në lojën e kundërsulmit, që është kjo “arma” më e fortë e Luftëtarit.
Naftëtari është skuadër që ka treguar përmirësime në pjesën e dytë të sezonit dhe kjo është vënë re në përballjen e një jave më parë në Sarandë, atje ku kuçovarët u ndjenë “të vjedhur” nga sarandjotët. Ata u ndëshkuan në fundin e lojës nga një 11-metërsh shumë të diskutuar. Sepse, sipas tyre, ajo ishte inekzistente.
Loja në rritje e Naftëtarit dhe pretendimi i Luftëtarit se i duhet të fitojë, që të shpresojë për t’iu bashkuar ekipeve që kryesojnë Grupin e Jugut, e bëjnë takimin shumë të vështirë.