AlbanianSport.com 30/08/2019 17:00
ASNN – Luftëtari është një skuadër që ende nuk e ka krijuar fizionominë e vet. Kjo duket edhe në ndryshimet e shumta që është detyruar të bëjë në formacion trajneri Klodian Duro.
Madje edhe për ndeshjen me Teutën ai, ende nuk e ka të qartë se cilët do të jenë lojtarët e formacionit. Në ditët në vijim pritet që te Luftëtari të vijnë lojtarë me eksperiencë, emrat e të cilëve i bën të ditur trajneri Duro.
Por, sidoqoftë, ai e ka të qartë se atyre do t’u duhet kohë për t’u përshtatur me ekipin. Megjithë vështirësitë, Duro thekson se në Durrës shkojnë për të marrë pse jo edhe pikën e parë.
Ndërsa synimet e Luftëtarit janë të bëjë mirë jo vetëm në kampionat por edhe në Kupën e Shqipërisë. Në fund të konferencës për shtyp, trajneri Luftëtarit, Klodian Duro ka pranuar se Furxhi nuk do të jetë pjesë e skuadrës gjirokastrite, pasi ai e ka zgjidhur kontratën.