AlbanianSport.com 02.02.2015 22:55
ASNN – Largimi i papritur i futbollistit vlonjat Ardi Qejvani nga skuadra e Luftëtarit, por edhe mosarritja e marrëveshjes me lojtarin grek Paparuna kanë krijuar një boshllëk në skuadrën gjirokastrite. Dhe ky boshllëk është thelluar më shumë edhe për faktin se në përfundim të pjesës së parë të sezonit janë larguar dhe disa lojtarë të tjerë nga ekipi. Me përfundimin e garës më 20 dhjetor u larguan nga ekipi Sulejmani, Nelaj, Shehaj, Aliaj, Zhupa dhe Kazma. Me çeljen e merkatos dimërore u afruan Dosti, Tahirllari.
Por në skuadrën e drejtuar nga Bledar Devolli është e nevojshme të afrohen lojtarë të tjerë. Veçse kjo bëhet e vështirë edhe për faktin sepse tregu i lëvizjes së lojtarëve në dimër është drejt mbylljes. Dhe në të tilla kushte nuk mund të gjenden futbollistët e nevojshëm. Luftëtari ka nevojë për futbollistë me tipare sulmuese dhe mundësia me e madhe është rikthimi i Florian Brahos, i cili është aktualisht në provë tek skuadra e Kastriotit të Krujës.
Zgjidhja më pozitive në skuadrën gjirokastrite dhe që do të ndikojë në rritjen e nivelit të lojës është zhvillimi në kushte normale të stërvitjes. Përfundimi i impiantit në fushën e vjetër i ka dhënë mundësinë trajnerit Bledar Devolli ta përgatisë në kushte shumë të mira skuadrën. Në kushtet e vështira atmosferike të këtyre ditëve, Luftëtari ka zhvilluar normalisht dhe me kohën e duhur stërvitjen.
Dejan Dosti dhe Artnant Tahirllari janë përforcimet e duhura, por duken të pamjaftueshëm nga vetë kërkesat që ka për futbollistë skuadra. Kampionati është i gjatë dhe do të ketë futbollistë të dëmtuar apo të dënuar me kartonë në vazhdimësi. Ndaj për objektivat që Luftëtari duhet një prapavijë e plotësuar dhe me lojtarë të përgatitur.