AlbanianSport.com 28.09.2014 12:55
ASNN – Dy të ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve, Turdiu dhe Rezi, nderojnë kryeqytetasit e Dinamos në fushën e Luftëtarit. Tre pikë të arta për blutë e Dritan Mehmetit, që e fillojnë kampionatin si kryesues. “Të gjithë në Gjirokastër ishin përgatitur për një fitore dhe mua si trajner do të më vinte mirë ta nisja me këmbë të mbarë kampionatin, ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli. – Por ky është futbolli, po nuk shënove e pëson.”
“Krijuam një volum loje më të madh se sa kundërshtarit, por fati nuk na buzëqeshi për ne, – ka vijuar ish-futbollisti, tashmë trajner i ekipit gjirokastrit. – Megjithatë nuk jam as frikacak dhe as nuk mburrem, por do t’i qëndroj besnik deri në fund fjalëve që kam thënë kur kam marrë detyrën si trajner. Pjesërisht jam i kënaqur dhe pjesërisht jam i pakënaqur. Por kjo humbje s’mund të bëhet tragjike, kemi ndeshje të tjera për të rikuperuar.”
Ndërkaq, homologu kryeqytetas, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka falënderuar publikun e zjarrtë gjirokastrit, që i ka duartrokitur të dyja skuadrat për 90 minuta. “Dhe kjo është e rrallë për stadiumet e vendit tonë, – ka theksuar ai. – Nuk e kam parë këtë respekt në asnjë stadium të Shqipërisë. Sa i përket fitores, zhvilluam një lojë të mirë. Me futjen e Rezit në pjesën e dytë u munduam të shfrytëzonim sa më shumë gabimet e vendësve dhe erdhi fitorja.”
“Dinamo është një ekip i madh dhe ndoshta është shpejt për të thënë, sepse kampionati është i gjatë. Megjithatë objektivi jonë është Superiorja”, – ka përfunduar trajneri i bluve kryeqytetas, Dritan Mehmeti.