AlbanianSport.com 31.10.2015 14:20
ASNN – Pozitive për trajnerin e Luftëtarit, Bledar Devolli, në këtë ndeshje në fushë të huaj me Pogradecin është se do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët e mundshëm. Duka dhe Lluka do të jenë të gatshëm për t’u aktivizuar duke e bërë më të plotë formacionin. Janë dy futbollistë mesfushorë mëse të nevojshëm për skuadrën. Veçanërisht rikthimi i Llukës plotëson rolin e organizatorit në skuadër. Në stërvitjen e djeshme, grupi i futbollistëve që mendohet se do të përbëjnë formacionin e para në ndeshje u përgatit veçmas.
Për shumë kohë u aplikuan gjuajtje drejtë portës dhe u praktikuan disa skema taktike në ndërtimin e sulmeve dhe në goditjet standard. Birja në portë dhe katërshja e mbrojtjes e përbërë nga Çunaj, Rexha. Mersini dhe Frashëri në mbrojtje mbeten të palëvizur nga takimi me Bylyi të Ballshit. Ndërkohë që në mesfushë ka ndryshime në përbërje. Duka dhe Lluka plotësojnë mungesën e Shehaj të skualifikuar dhe ndoshta Mersini i “vogël” do ta fillojë ndeshjen nga stoli. Shenaj e Çaço plotësojnë repartin e mesfushës, ndërkohë që vlonjtët Qejvani dhe Nelaj do të përbëjnë vijën e sulmit.
Është takimi i vetëm që Luftëtari do ta zhvillojë pa mungesa nga titullarët në këto pesë javë kampionat. Ishte edhe një justifikim për tre ndeshjet e para të humbura, ku ajo me Dinamon 0-2 dhe Sopotin 0-1 të luajtura në Gjirokastër ia ulën besimin për realizimin e objektivit. Pasi veç rezultatit, loja e zhvilluar nuk ishte bindëse se skuadra do të konkurronte për të dalë e para në Grupin e Jugut. Pas fitores me Bylis duket se i janë ngjallur shpresat dhe, sipas Devollit, tani e tutje do të shikoni Luftëtarin e vërtetë.
\Kjo është edhe një arsye që ndeshja me Pogradecin të jetë përcaktuese për ecurinë e gjirokastritët në këtë sezon. Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme të luajtura në transfertë, në këtë takim skuadra do të ketë edhe mbështetjen e një pjese të tifozërisë gjirokastrite, e cila do të jetë në mbështetje të skuadrës, pavarësisht distancës së largët që ekziston me Pogradecin. Sepse të gjithë besojnë që Luftëtari nuk do të kthehet pa pikë nga Pogradeci.