AlbanianSport.com 21.02.2015 07:50
Trajneri i bluzinjve nuk e ka deklaruar formacionin, do ta japë sot në bazë të terrenitnë Kuçovë. Lojtarët i kanë premtuar fitoren presidentit Flamur Bime një fitore për ditëlindjen e tij. Luftëtari e ka marrë seriozisht ndeshjen me Naftëtarin, të cilën do ta luajë sot në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës. Një fitore do të thotë që bluzinjtë do t’i bashkëngjiten pretendentëve për t’u ngjitur në Superiore, por një humbje do të thotë një luftë më e madhe për të mbijetuar në Kategorinë e Parë.
Pesë pikë më shumë ka aktualisht Luftëtari ndaj Naftëtarit dhe nëse nuk fiton do t’i duhet në vazhdim të heqë dorë ngë Kategoria Superiore dhe të mendojë t’i shpëtojë rënies në Kategorinë e Dytë. E kanë vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje gjirokastritët dhe janë nën presion vetëm për të fituar. Dy ditë rresht ka qenë i pranishëm në stërvitjen e ekipit, ka qenë presidenti i skuadrës, Flamur Bime, duke u premtuar edhe shpërblim për herë të parë në ndeshjet e këtij sezoni.
Përsëri zoti Bime ishte në mjediset e stërvitjes përpara nisjes për në Kuçovë duke i njoftuar lojtarët se do të jetë përsëri në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të këtij qyteti. “Sot unë kam ditëlindjen, por nuk e festoj sot. Do ta festoj bashkë me ju pas kthimit nga Kuçova”, u ka thënë me humor Flamur Bime futbollistëve, që nga ana e tyre si dhuratë I premtuan fitoren e ndeshjes. Lidhur me ndeshjen e sotme, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, u shpreh se: “Pres që në fushë të luajnë burra”.
Duke nënkuptuar se duhet të luajnë pa frikë. Devolli e ka mbajtur enigmë formacionin që do të luajë përballë Naftëtarit dhe, sipas tij, do ta vendosi pak para fillimit të lojës. Kuptohet duke studiuar më parë edhe terrenin e lojës. Ka vetëm dy mungesa nga titullarët bluzinj, Ergys Mersinin dhe Ervin Rexhën. Kurse Brahimi dhe Zholi, ashtu sikurse dhe në takimin me Pogradecin, duket se edhe në Kuçovë do ta nisin ndeshjen nga fillimi.
Pavarësisht se Devolli nuk e deklaron formacionin, ai i mundshmi që mendohet për Luftëtarin do të jetë: Thano, Frashëri, Brahimi, Dosti, Zholi, Duka, Lluka, Çaço, Shenaj, Braho dhe Tahirllari.