AlbanianSport.com 18.01.2015 21:00
ASNN – Tahirllari një zbulim për sulmin e bluzinjve, por Devolli kërkon dhe një të dytë në fushë. Luftëtari do të zhvillojë disa ndeshje miqësore me ekipe më të përgatitura si me Butrintin, apo dhe me Tepelenën, të nevojshme këto për të konsoliduar më mirë veprimet e lojtarëve dhe skuadra të jetë më harmonike në fushë. Deri ditën e hënë priten edhe dy lojtarë të tjerë, por gjirokastritët i mbajnë sekret emrat.
Çka do të thotë se ndeshjet miqësore në vazhdim do të jenë të nevojshme në mënyrë që lojtarët të merren sa më mirë vesh me njëri-tjetrin. Tahirllari duhet konsideruar si gjetje e duhur për repartin e sulmit gjirokatrit, pasi në fazën e parë kjo skuadër nuk kishte në radhët e saj një lojtar tipik sulmues. Kjo u pa qartë se në këtë fazë shënuan gola mbrojtësit, katër prej tyre Frashëri, që u aktivizua në rolin e mbrojtësit të djathtë.
Kërkohet tjetër lojtar sulmues në krah të Tahirllarit, pasi si në miqësoren me Apoloninë në Fier, por edhe në takimin e djeshëm luajti në krah të tij Çaço, i cili duhet konsideruar futbollist mesfushor. Gjetje e momentit ishte Florjan Braho, i cili është lojtar tipik sulmues krahu. Por largimi i papritur i tij në Mamurras e bën mëse të nevojshme gjetjen e një tjetër futbollisti me tipare sulmuese.
I vetmi repart i konsoliduar tek Luftëtari mbetet mesfusha e përbërë nga Qejvani, Duka, Lluka, Shenaj, Çaço dhe Mersini. Devolli bashkë me stafin e tij e ka të qartë dhe kërkesë në forcimin e sulmit, ndaj është në pritje të përforcimeve të tjera.