AlbanianSport.com 17.01.2015 15:00
ASNN – Trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, është në kërkim të ndeshjeve miqësore, sepse në këto teste ai duhet të vendosë për lojtarët titullarë të cilët do të përballojnë ndeshjet e kampionatit. Jo vetëm kaq, por dhe do të përcaktojë variantin taktik me të cilin Luftëtari do të luajë në pjesën e dytë të sezoni.
Pas ndeshjes miqësore të së mërkurës në Fier, atje ku u barazua 0-0 me Apoloninë, sot Luftëtari do të zhvillojë një ndeshje me të rinjtë për të kaluar të mërkurën në Sarandë ndaj Butrintit vendës. Dhe po të shtunën e ardhshme do të presë në Gjirokastër, Tepelenën.
Devolli e ka bërë”zakon” që në përfundim të çdo ditë stërvitjeje të zhvillojë ndeshje brenda grupit. Por deri në fillim të fazës së dytë, që do të fillojë më 7 shkurt, i duhet të ketë bindje të plotë për një vendosje sa më funksionale të futbollistëve. Ndërkohë që, sipas trajnerit, edhe futbollistët duhet ta kenë më të qartë për të përvetësuar detyrën e tyre funksionale në fushë.
Në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, i vetmi që ka ardhur dhe që ka nënshkruar kontratën me Luftëtarin është korçari i ardhur nga Elbasani, Artanat Tahirllari. Priten dhe dy-tre përforëcime të tjera dhe kërkesat u janë drejtuar futbollistëve që kanë mbetur të lirë nga ekipet e Kategorisë Superiore, por emrat nuk bëhen të ditur.
Presidenti i skuadrës, Flamur Bime, ia ka dhënë këtë të drejtë përzgjedhjeje shefit të klubit, njëkohësisht drejtor teknik tek Luftëtari, Sefedin Braho, duke e garantuar atë dhe për anën financiare. E sipas Brahos, së bashku me trajnerin Devolli, kanë menduar për gjetjen e futbollistëve të tjerë, mundësisht një sulmues dhe dy mbrojtës.
Mesfusha e Luftëtarit duket se është reparti më i plotësuar dhe largimi i disa lojtarëve në përfundim të fazës së parë, që ishin aktivizuar në këto reparte, por që nuk bindën drejtuesit e Luftëtarit, ka krijuar boshllëqe në ekipin gjirokastrit. Dhe këto lojtarë duhen zëvendësuar.
Me përforcimet që do të bëhen në merkaton dimërore Luftëtari kërkon ngjitjen në Superiore. Dhe me terrenin e përshtatshëm stërvitor skuadra i ka të gjitha shanset për një punë më të mirë dhe më cilësore.