AlbanianSport.com 17.12.2014 13:05
ASNN – “Objektivi im është që deri në fund të vitit të marrim gjashtë pikë dhe të rekuperojmë. Ndaj Dinamos në “Selman Stërmasi” zhgënjyem në rezultat, por me Sopotin do të jetë një duel i fortë.” Kështu e ka nisur prononcimin e tij trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, teksa skuadra nuk ka pushuar asnjë ditë, ndërsa të gjitha përgatitjet për ndeshjen e radhës me Sopotin në fushë të huaj i ka bërë në kompleksin sportiv në Derviçian.
Në prag të ndeshjes me Luftëtarin, trajneri i gjirokastritëve ka theksuar: “Është ndeshja e parë që do të kemi një mungesë, ndërkohë që në takimet e para të këtij sezoni kemi pasur më shumë mungesa, të cilat kanë penalizuar skuadrën në rezultate. Do të përpiqemi të zhvillojmë një lojë të mirë, ashtu sikurse kemi bërë dhe ndaj Dinamos, atje ku fati nuk ka qenë me ne për sa i përket rezultatit dhe rasteve të humbura për shënim.”
“Nuk është gjë e mirë që ne vazhdojmë të ndëshkohemi nga goditjet standarde, të cilat po kthehen në një gangrenë për ekipin tonë, – ka vijuar ai. – Jam munduar që në këto ditë të bëjmë më të mirën me lojtarët. Kundërshtari që do të kemi përballë mund të ketë problemet e veta, por ne nuk duhet të nisemi nga ajo që po kalon kundërshtari dhe t’i lejojmë vetes të kalojmë në eufori.”
“Unë e shikoj skuadrën më të karikuar e më të mobilizuar, ndërsa besoj dhe mendoj se do të zhvillojmë një lojë bindëse për ta fituar ndeshjen ndaj Sopotit. Dhe më duhet të them se objektivi im si trajner është marrja e gjashtë pikëve deri në fund të këtij viti, që do të thotë tre pikë me Sopotin dhe tre pikë me Tomorin në Gjirokastër”, – ka p[rfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli.