AlbanianSport.com 22.10.2014 12:55
ASNN – Bluzinjtë e Luftëtarit janë duke menduar për të gjetur forca për të përballuar kampionatin, ndërsa pas tre javësh ndodhen në një gjendje kritike, teksa jashtë çdo parashikimi kanë zero pikë. Dhe për rrjedhojë ndeshja e kthimit me Bylisin në Kupën e Shqipërisë, paçka se ka fituar ndeshjen e parë me ballshiotët, 2-1, do ta ketë këtë ndeshje si një test prove. Madje duket se do të jetë një test prove për të dyja skuadrat, të cilat në fundjavë do të përballen në Gjirokastër në kuadrin e javës së katërt të kampionatit.
Dhe për ta zgjuar nga “gjumi” i rëndë që e ka pllakosur këtë skuadër, atëherë Devolli ka vendosur që të kërkojë me çdo kusht ndryshimin e skuadrës. I pari i pankinës së Luftëtarit beson shumë tek futbollistët, ndërsa sipas tij ata do të dinë të japin maksimumin në fushë. Dhe për të ndoshta ndeshja e kthimit në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit në Ballsh do të jetë një test edhe për të ndryshuar fatin e zi që ka pllakosur gjirokastritët. Dhe në kushtet kur nuk e kanë gjetur rezultatin pozitiv, atëherë ai pret me padurim reagimin e skuadrës dhe kthimin e saj tek rezultatet pozitive.
Ata duhet të jenë sa më të qetë për të dalë nga ky “ngërç” ku dhe kanë rënë, që është një turp për futbollin gjirokastrit. Madje duhet të rregullojnë imazhin e cenuar, sepse kanë qenë në dukje një skuadër e pathyeshme, por që nuk ka rezultuar kështu. Dhe në një ndeshje ku dhe Bylis pret të tregojë forcën e vet, atëherë Luftëtari duhet të bëjë ndryshe. Gjirokastritët do të luajnë me formacionin e mundshëm, që është si më poshtë: Birja, Brahimi, Këndella, Zholi, Çunaj, End. Mersini, K. Kazma, Puci, Qejvani, Aliaj, M. Kazma.