AlbanianSport.com 03.03.2015 10:55
ASNN – Bluzinjtë e Luftëtarit do të kenë katër mungesa në përballjen direkte me Shkumbinin vendës. Humbja me Lushnjën, edhe pse në një farë mase u faturohet gjyqtarëve të ndeshjes, është edhe përgjegjësi e vetë skuadrës dhe drejtuesve të saj.
Luftëtarit nuk i lejohej të luante në atë mënyrë, sidomos pas pësimit të golit. Shumë futbollistë të kësaj skuadre në vend që ta shtonin ritmin e lojës u mjaftuan me veprime të thjeshta, pa e vënë në rrezik portën kundërshtare.
Nesër Luftëtari do të zhvillojë një ndeshje shumë të vështirë, ku do të luajë në Peqin me Shkumbinin vendës. Edhe në këtë takim skuadra gjirokastrite do të ketë mungesën e katër titullarëve.
Braho është i dëmtuar nga takimi me Lushjnë, ndërsa Mersini, Çaço dhe Lluka janë të ndëshkuar për shkak të kartonëve të verdhë. Vështirësia më e madhe për skuadrën gjirokastrite, në këtë ndeshje, është fakti se deri tani në takimet në fushë të huaj ka rezultuar e dështuar.
Ajo ka mundur të fitojë vetëm dy pikë, duke barazuar në fazën e parë në Pogradec dhe në Sarandë. Dhe kjo e penalizon më shumë Luftëtarin që, nëse nuk do të marrë pikë nga ndeshja me Shkumbinin, duket se do të përfundojë në fundin e tabelës së klasifikimit.