AlbanianSport.com 20.10.2014 12:35
ASNN – Në kushtet ku ndodhet sot Luftëtari, i cili pas tre javësh nuk ka asnjë pikë dhe është mundur të shtunën në Berat, atëherë trajneriBledar Devolli ose duhet të ishte dorëhequr, ose duhet të ishte shkarkuar. Por Devolli, i cili është trajner i ri, sfidon të gjithë duke mos e dhënë dorëheqjen. Madje merr mbi vete të gjitha përgjegjësitë e humbjes në Berat dhe premton se shumë shpejt gjendja do të ndryshojë.
Për të gjithë situatën e krijuar, në paraditen e djeshme, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, që është njëkohësisht dhe presidenti i Luftëtarit, ka zhvilluar një takim të pazakontë me disa figura dhe personalitete të futbollit të këtij qyteti. Objekti i takimit ka qenë marrja e mendimit profesional se çfarë mund të bëhet për nxjerrjen nga kriza të skuadrës.
Përveç Sefedin Brahos si shef klubi, por edhe drejtuesve teknik në skuadër, ishin në takim edhe Novi, Boni, Kodra, Çoni. E jo vetëm kaq, por dhe zyrtarë të Bashkisë që merren me sportin. Një mbledhje e mbyllur dhe fakti është që në të nuk ishin thirrur trajnerët Devolli, Shane dhe Lamaj. E kjo tregon se ishin në diskutim pikërishtë këta si “fajtorë” dhe përgjegjës për situatën e vështirë ku ndodhet sot Luftëtari.
Kishte një reagim pas humbjes1-3 me Tomorin dhe mendohej se Devollit do t’i kërkohej dorëheqja. Por nuk ishte ky konkluzioni i mbledhjes, pasi në përfundim të saj u mësua se trajnerëve aktualë do t’u jepet edhe një herë mundësia për të reflektuar. Dhe kjo duke nisur që nga ndeshja e kthimit në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit në Ballsh, apo dhe për ndeshjen e radhës në kampionat që është po ndaj ballshiotëve, por këtë herë në Gjirokastër të shtunën e ardhshme.