AlbanianSport.com 05.02.2015 15:45
ASNN – Luftëtari ka për të zhvilluar një ndeshje të vështirë në Ballsh përfundimi i së cilës përcakton në një farë mënyre të ardhmen e gjirokastritëve në këtë kampionat. Vetëm fitorja i jep shpresë djemve të Bledar Devollit për të shpresuar jo vetëm mbijetesën, por dhe rrugën e tyre drejt kalimit në Kategorinë Superiore. Për këtë qëllim dje përpara fillimit të stërvitjes është zhvilluar një mbledhje e përbashkët midis ekipit dhe presidentit Bime.
Motivimi dhe mobilizimi për të fituar në Ballsh ishte qëllimi i këtij takimi, ndërkohë që Bime ka premtuar shtesë rroge për të gjithë futbollistët dhe shpërblim për titullarët dhe ata që do të kontribuojnë në arritjen e rezultatit pozitiv. Por sigurisht që do të ketë dhe masa ndëshkimore disiplinore dhe financiare për ato që nuk japin maksimumin në fushën e lojës. Apo dhe për ata që do të thyejnë disiplinën në skuadër qoftë kjo dhe në kohën e lirë.
E për këtë presidenti Bime ka premtuar se do të ketë monitorim për të gjithë skuadrën, sepse sipas tij ka dhe raste abuzimi nga lojtarët, të cilët jashtë fushës nuk tregohen profesionistë. Dhe kjo gjë reflektohet në rezultat. “Jeni skuadër me futbollistë profesionistë dhe nga më të paguarit në skuadrat e Kategorisë së Parë, – ka deklaruar ai. – Ndaj keni mundësi të fitoni ndaj çdo ekipi. E kjo nuk varet nga dëshira, por sa jeni të aftë, të përgatitur dhe të mobilizuar gjatë lojës.”
“Tani nuk ka më justifikim për stërvitjen pasi terreni stërvitor është në gjendje shumë të mirë dhe nuk e ka çdo skuadër, ka vijuar Bime. – Mbështetja financiare do të jetë edhe më e mirë dhe deri tani jeni të paguar rregullisht. Por ju këtë duhet ta përktheni në rezultat, duke filluar që nga kjo javë.” Më pas, në këtë takim, presidenti i klubit gjirokastrit është ndalur më pas tek disiplina gjatë lojës, sidomos në marrëdhëniet me gjyqtarët e ndeshjes dhe u ka përmendur futbollistëve se penalizimi me kartona të panevojshëm dëmtojnë skuadrën dhe jo individin.
“Në të ardhmen kartonët e panevojshëm do të zhdëmtohen nga vetë futbollisti dhe jo nga klubi siç është vepruar deri më tani”, – ka përfunduar Bime. Luftëtari i është bashkuar ditët e fundit në stërvitje Florian Braho, i cili ka nënshkruar dhe kontratën me bluzinjtë, ndërsa me të Devolli ka zgjidhur problemin e sulmit. Dhe i larguari zyrtar është Ardi Qejvani.