AlbanianSport.com 06/07/2020 23:55
ASNN – Lojtari i disa skuadrave në Shqipëri, por edhe jashtë saj, në Greqi dhe Kroaci, por edhe i Kombëtares kuqezi, Emiljano Vila, ka humbur babain e tij dhe, duke folur të dielën pasdreke, para ndeshjes që Teuta pati të hënën në mbrëmje me Skënderbeun, trajneri Edi Martini i kishte shprehur ngushëllimet e tij futbollistit, por kishte bërë edhe një apel për 32-vjeçarin. “Unë i shpreh ngushëllimet dhe kam folur me Emiljanon dje, do të flas prapë sot, por jemi pak skeptik sesi do të veprojmë nesër për ta zëvendësuar atë.”
“Megjithatë, unë mendoj që Emiljano duhet t’i afrohet ekipit, duhet të luajë për ekipin dhe të luajë të hënën edhe për babain e tij”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini. Dhe duket se Vila e ka dëgjuar apelin e trajnerit, teksa ka bërë një gjest shumë të veçantë, sepse, vetëm pak kohë pasi humbi babain e tij, vendosi të bashkohej me skuadrën dhe i kërkoi trajnerit Martini ta aktivizojë për ndeshjen me Skënderbeun. Teuta arritu një fitore minimale, por mjaft të vyer, në fushën e vet ndaj korçarëve, ku vendosi goli i Kallakut.
Ndërkaq, mesfushori Emiljano Vila, ishte titullar për skuadrën, duke qenë protagonist edhe në golin e shënuar. “Vrapimi im në fushë ishte për Emiljano Vilën, i cili humbi të atin dhe më mori në 12 të natës dhe më tha se donte të ishte në fushë, – ka rrëfyer pas ndeshjes trajneri Martini, duke zbuluar edhe arsyen e futjes së pazakontë të tij në fushën e blertë, për t’iu bashkuar skuadrës në festimin e golit. – Isha shumë i emocionuar sot.” Kurse, vetë Vila, duke folur i përlotur për mediat pas përfundimit të takimit, ai ka zbuluar se “ia kishte borxh babait të tij” për të luajtur sot.
“Babi im që i vogël më ka ndenjur afër, – ka rrëfyer futbollisti durrsak. – Që kur isha 9-10 vjeç më dërgonte çdo ditë në fushë, ia kisha borxh dhe duhet të luaja me çdo kusht. Shpresoj ta kem kënaqur atje ku është.” Ndërkohë, duke iu kthyer futbollit, lojtari i Teutës ka vlerësuar ecurinë e ekipit bregdetar. “Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mirë dhe kemi luajtur ndeshje të shkëlqyera, – ka thënë ai. – Dua të falënderoj të gjithë ekipin dhe trajnerin. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë te trofeu, të cilin do ia dedikoj babait tim.”
“Këtu është shtëpia ime, këtu kam krijuar themelet. Zoti më ka dhënë forcë për të dhënë më të mirën çdo ndeshje. Që kur kam firmosur këtu kam gjetur një moment shumë të mirë”, – ka përfunduar lojtari i Teutës, Emiljano Vila.