AlbanianSport.com 09.08.2015 09:25
ASNN – Qeveria shqiptare, sikurse kishte premtuar, ka akorduar 1.5 miliardë Lekë për përfundimin e punimeve që kanë nisur prej disa muajsh për stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër. Sipas njoftimit për media që ka bërë Ministria e Financave, në buxhetin e ndryshuar të qeverisë janë garantuar 1.5 miliardë lekë për stadiumin në qytetin e Shkodrës. Që në nisje të punimeve është thënë që “Loro Boriçi” do të jetë një investim i përbashkët midis qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.
Deri në këtë pikë të punimeve, në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve nuk ka pasur asnjë fond të garantuar për punimet e stadiumit. Deri në këtë periudhë është përdorur pjesa e investimeve të dhëna nga FSHF, ndërkohë që pjesa më e madhe e shpenzimeve është ajo që do të kryhet në vazhdim. Punimet në tribunën qendrore të stadiumit kanë ecur me ritme të kënaqshme.
Dhe stadiumi ka marrë formën që do të ketë në përfundim. Ndërkohë që janë hedhur katet e tribunës qendrore, është nisur nga puna edhe për ndërtimin e tribunave anësore. Sipas projektit, apo edhe në terren, vihet re që do të jenë pesë tribuna të ndara që do të shtojnë kapacitetin e Stadiumit “Loro Boriçi” deri në 17 mijë vende. Impianti do të jetë më i madhi në Shqipëri për nga kapaciteti i tij, si dhe do të jetë stadiumi më modern për nga parametrat që përmbush.
Ai do të plotësojë të gjithë kriteret e kërkuara nga FIFA dhe UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në të gjitha veprimtaritë. Gjithashtu, stadiumi pritet të ketë edhe një pistë vrapimi me përmasa olimpike. Vetëm para pak ditësh u zbulua se stadiumi “Loro Boriçi” nuk do të jetë ai që do të presë ndeshjen Shqipëri- Serbi, pasi FSHF nuk e kishte përmendur asnjëherë në UEFA si një mundësi për luajtjen e një takimi me rëndësinë dhe rrezikshmërinë që do të ketë ajo përballje.
Pavarësisht kësaj, punimet në impiantin e qytetit të Shkodrës po vijojnë dhe miratimi i buxhetit nga qeveria shqiptare është garancia e nevojshme financiare për zhvillimin e punimeve deri në fazën finale të ndërtimit të tij. Ndërkohë, qeveria e futbollit shqiptar ka premtuar se në muajin nëntor në “Loro Boriçi” do të luhet një miqësore luksi, teksa mbetet për t’u përcaktuar kundërshtari.