Adriatik Balla 13.05.2015 17:05
Banorët kanë penguar makineritë e firmës ndërtuese menjëherë sapo ato kanë nisur punën dhe veprimi i tyre vjen si një përgjigje për premtimin e pambajtur (më herët u ishte thënë se punimet nuk do të prekin interesat e tyre). Një nga ata që ka reaguar ashpër ishte dhe ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Tiranës, Suad Lici, i cili në emër të banorëve kujtoi se projekti fillestar nuk parashikonte prishjen e shtëpive.
“Ne u gëzuam kur filloi puna në stadium, pasi projekti që u prezantua nuk parashikonte prishjen e shtëpive, ndërsa dje një inxhinier që erdhi ka spostuar me 20 metra piketat për ndërtimin e stadiumit, – ka deklaruar ish-futbollisti shkodran, duke folur për mediat vendase. – Me këtë plan bien poshtë të gjitha thëniet e mëparshme të deputetëve dhe kryeministrit.”
“Për këtë jemi të shqetësuar, pasi këtu vijnë njerëz me skica, që kryejnë matje, por nuk kanë asnjë dokument zyrtar dhe nuk ka asnjë tabelë ku të shënohet data kur do të nisin punimet e ku do të përfundojë, – ka vijuar ai. – Ata kanë thënë që do të prishin muret rrethues dhe jo siç tha kryeministri që do të kompensohet çdo gjithçka që do të dëmtohet.”
“Ne do të dalim këtu derisa të kemi një sqarim dhe ku çdo gjë të jetë transparente” – ka përfunduar Lici. Projekti për rikonstruksionin e “Loro Boriçit” ishte një nismë e kryeministrit Edi Rama, e bërë publike fill pas ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, ndeshje që bëri bujë ndërkombëtare për shkak të ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Rikonstruksioni i “Loro Boriçit” do t’i kushtojë qeverisë një fond prej 12 milionë eurosh dhe impianti pritet të ketë një kapacitet rreth 17 mijë vende.