AlbanianSport.com 14.04.2015 21:50
ASNN – Kjo është pamja që do të ketë stadiumi “Loro Boriçi” pas rikonstruksionit të tij. Stadiumi do të ketë një tribunë të mbuluar që do të jetë ajo qendrore ku do të ndodhen të gjithë shërbimet.
Kjo tribunë do të ndërtohet e re. Kushtet që do të ofrojë do të jenë më të mira se “Elbasan Arena” dhe kapaciteti më i lartë. Stadiumi i Shkodrës do të presë rreth 17 mijë tifozë. Tribunat e tjera ekzistuese do të rinovohen, ndërsa do të shtohen edhe pesë më të vogla pas porte.
Në të do të ketë edhe pistë atletike dhe kostoja totale përllogaritet në rreth 10 milionë euro. Pak ditë më parë Këshillimi i Rregullimit të Territorit mori vendimin për të lejuar zbatimin e projektit.
Pritet që në ditët në vijim të paraqitet projekti më i detajuar dhe më pas të nisin punimet. Në këtë stadium do të luajë Kombëtarja, klubi vendas Vllaznia, por mund të përdoret edhe nga skuadra të tjera shqiptare për kupat e Evropës.