Adriatik Balla 13.05.2015 11:35
Banorët kërkojnë transparencë, pasi më parë u ishte premtuar se nuk do të kishte dëme. Bllokohen punimet në stadiumin “Loro Boriçi”, banorët kërkojnë dëmshpërblim. Qeveria ka premtuar të rindërtojë stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, madje duke insistuar që të punohet intensivisht këta muaj në mënyrë që impianti të jetë gati për ndeshjen e fundtetorit ndaj Serbisë.
Projekti i miratuar tashmë nga të gjitha instancat, përfshi dhe UEFA-n, nisi të zbatohet dhe prej pak ditësh nisën edhe punimet në stadiumin e dytë më të madh në vend pas Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Por jo gjithçka ishte parashikuar si duhet, pasi dje punimet u bllokuan nga banorët e qytetit të Shkodrës që kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre pranë stadiumit.
Ata pretendojnë se firma që po merret me ndërtimin ka vendosur piketa të reja, krejt ndryshe nga sa ishte thënë në fillim, pra tentohet të punohet në pronë private dhe banorët kërkojnë dëmshpërblim. Ata nuk u besojnë letrave dhe dokumenteve që kanë teknikët e inxhinierët dhe kërkojnë dëmshpërblim për metrat e humbura. Parë në këtë kuadër, ka lindur një konflikt që mund të zgjasë nëpër shkallët gjyqësore.
Dhe nëse çështja shkon deri në këtë nivel, atëherë me siguri që stadiumi nuk do të realizohet në kohë, që do të thotë ndryshe se ndeshja e shumëpritur dhe e shumëpërfolur me Serbinë mund të zhvillohet me të gjitha gjasat në impiantin e ekipit kombëtar në Elbasan.