Adriatik Balla 13.06.2015 12:15
Kapiteni i skuadrës tonë përfaqësuese, Lorik Cana, do të luajë të shtunën në “Elbasan Arena”, ndeshjen e tij të 84-t me Kombëtaren Kuqezi, duke qenë lojtari me më shumë ndeshje të zhvilluara me fanellën e Shqipërisë, madje duke kaluar edhe emra të tillë të spikatur si Altin Lala e Foto Strakosha që mbanin më parë rekordin e më shumë ndeshjeve me përfaqësuesen. Cana është lojtari me karrierën më të gjatë në Kombëtare, plot 13 vjet.
Është padyshim lideri i këtij ekipi dhe shtylla e repartit të mbrojtjes në Kombëtare dhe aktivizimi i tij si titullar nuk është vënë në diskutim asnjëherë nga të gjithë trajnerët që kanë drejtuar përfaqësuesen tonë gjatë këtyre viteve. I lindur në Gjakovë më 27 korrik 1983, Lorik Cana rrjedh nga një familje sportistësh, pasi edhe babai i tij, Agimi, ka luajtur futboll në nivel profesionistësh. Cana emigroi me familjen në Zvicër, ku luajti me Dardaninë e Lozanës midis viteve 1997-2000.
Pikërisht në këtë periudhë talenti i tij spikatet nga francezët e Paris SG-së dhe që nga ai vit, karriera e Canës ka njohur suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke qenë futbollisti shqiptar që ka luajtur në nivelet më të larta përgjatë këtyre viteve. Pas eksperiencës me PSG-në dhe me Olimpikun e Marsejës në kampionatin francez, Cana kaloi dy eksperienca jo pak të rëndësishme në Premier League angleze dhe Superligën turke, përkatësisht me ekipet e Sandërlendit dhe Gallatasarajit.
Ai ka vijuar më pas me Lacion në Serie A, skuadër me të cilën aktivizohet që nga 3 korriku i vitit 2011. Në kuadër të merkatos aktuale, mbrojtësi kuqezi është në pritje të një oferte të mirë nga klubet e Bundesligës, por nuk përjashtohet mundësia e kthimit të tij në Francë, tek skuadra e tij e zemrës, Olimpiku i Marsejës.