AlbanianSport.com 13.06.2015 16:35
Lorik Cana debutoi për herë të parë me skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë në vitin 2002 dhe që nga ai moment ka qenë zgjedhje e parë e të gjithë trajnerëve të Kombëtares, një shtyllë në repartin e mbrojtjes dhe padyshim shpirti i skuadrës tonë kuqezi. Mund të thuhet pa frikë se Cana, që mban shiritin e kapitenit prej tre vjetësh, është lojtari që identifikon më shumë ekipin kuqezi në ndeshjet ndërkombëtare dhe ai që bashkon më shumë tifozët në trojet shqiptare dhe diasporën shqiptare në botë.
Në 83 ndeshje me Kombëtaren ka shënuar edhe një gol në ndeshjen miqësore me Azerbajxhanin në vitin 2005. Sot, në “Elbasan Arena”, Cana luan ndeshjen e tij të 84-t si kuqezi dhe ky është një moment i veçantë për të dhe admiruesit e tij. 32-vjecari kosovar nuk e ka vënë në diskutim vijimësinë, duke preferuar të luajë në nivele të larta. Në këto eliminatore, skuadra përfaqësuese është më pranë se kurrë ëndrrës së saj për një kualifikim historik në një eveniment të madh futbolli, siç është Evropiani “Francë 2016”.
Ky është ndoshta shansi i fundit i Lorik Canës për ta përmbushur misionin e tij dhe në këto eliminatore, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, dëshmuar me përpjekjen dhe sakrificën e tij në fushë, me drejtimin e grupit me një shpirt të fortë e karakteristik, me besimin e madh se Shqipëria e trajnerit Xhovani de Biazi dhe kapitenit Lorik Cana do të jenë pjesëmarrës në Euro 2016.
Sot, në Elbasan, Cana do të thyejë rekordin personal të ndeshjeve me Kombëtaren, por në të njëjtën kohë do të kujdeset që përfaqësuesja të ruajë ritmin pozitiv të saj në këtë edicion eliminator, pavarësisht se përballja me “gjelat” francezë është thjesht një miqësore.